Lajmet e fundit
Komisioni për Shëndetësi... organizoi takim me pune për shërbimet sociale dhe familjare në Kosovë
, 23.01.2012
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në dhe UNICEF-in, ka mbajtur sot takim pune me temën: Shërbimet sociale dhe familjare në Kosovë, në të cilin morën pjesë anëtarë të komisionit, përfaqësues të UNDP-së e të UNICEF-it, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq e zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, zyrtarë të qendrave për punë sociale e të komunave, përfaqësues Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve etj.
Kryetari i komisionit, Fikrim Damka, i cili kryesoi takimin, foli për rëndësinë e kësaj tryeze dhe të rekomandimeve që do të dalin nga diskutimet, në funksion të amendamentimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare.
Ai tha se duke marrë parasysh vendimin për bartjen e kompetencave dhe përgjegjësive të shërbimeve sociale dhe familjare në nivel komunal dhe procesin e plotësim - ndryshimit të Ligjit për shërbimet sociale dhe familjare, është me rëndësi që të zhvillohet një diskutim i përbashkët drejt harmonizimit të dispozitave.
"Për më tepër, përfshirja e përfaqësuesve nga radhët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, autoriteteve komunale, Qendrave për punë sociale dhe shoqërisë civile, do të garantojë inpute konstruktive dhe rekomandime për procesin e ndryshimeve të mundshme në Projektligjin për shërbimet sociale dhe familjare, në veçanti të ndërlidhura me fëmijët dhe familjet e tyre", theksoi Damka.
Kryesuesi i grupit punues, Bahri Thaçi, bëri një elaborim të ecurisë së shqyrtimit dhe amendamentit të projektligjit, duke potencuar, njëkohësisht, edhe dilemat në lidhje me disa amendamente, veçanërisht për adoptimin e fëmijëve e veçanërisht atë jashtë shtetit. Ai shprehu përkushtimin e grupit punues për ta bërë një ligj të mirë dhe funksional për këtë kategori të shoqërisë.
Për projektligjin dhe çështjet në diskutim, në emër të koordinatores për zhvillim, znj. Osnat Lubrani, foli Nora Sahatqiu, e cila potencoi rëndësinë e këtij projektligji dhe të mandatit që ka komisioni për Shëndetësi në amendamentimin e tij e në avancimin e çështjeve sociale në përgjithësi, të cilat, sipas tij, janë shumë të rëndësishme jo votim në aspektin e arritjes së standardeve evropiane, por edhe të arritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Ajo tha se projektligji duhet ta harmonizojë legjislacionin ekzistues me atë sekondar.
Në fjalën e saj, Sahatqiu u ndal edhe në përkrahjen që agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë i kanë dhënë Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, si mundësi e mirë për organizimin e takimeve për çështje me rëndësi për qytetarët.
Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, foli për projektligjin dhe bartjen e përgjegjësive të shërbimeve sociale dhe familjare në nivelin komunal. Në këtë funksion, ai potencoi bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe nivelit komunal, por edhe nevojën për rritjen e performancës.
Ministri Rashiq u përqendrua edhe në ngritjen e kapaciteteve të ministrisë e të qendrave për punë sociale, me përkrahje të donatorëve dhe të organizmave ndërkombëtarë. Ai tha se është trashëguar një gjendje sociale shumë komplekse, por, sipas tij, po bëhen përpjekje që të gjenden zgjidhje për përmirësimin e saj.
Takimi vazhdoi me diskutimet e pjesëmarrësve të tjerë, të cilët dhanë kontributin e tyre në çështjet diskutabile në projektligj.
Për sfidat dhe mundësitë për ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet e tyre, folën deputetët: Flora Brovina, Time Kadriaj e Gëzim Kelmendi, drejtori i Departamentit për Shërbime Sociale, Bajram Kelmendi, drejtori i Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ferizaj, Bashkim Hyseni dhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Ahmet Fejzullahu.
Flora Kryeziu nga UNICEF-i foli për standardet ndërkombëtare dhe qëndrimet për adoptimin ndërshtetëror ndërsa eksperti vendor i UNDP/PDSP-së, Ervin Ibrahimi, bëri një analizë krahasimore të praktikave të shteteve rajonale dhe të Bashkimit Evropian.
Përfaqësues Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, ndërkaq, u fokusuan në shërbimet në interesin më të mirë të fëmijës dhe rolit të shoqërisë civile.
Takimin dhe diskutimet e pjesëmarrësve, kryetari i komisionit i konsideroi tejet të rëndësishme, ndërsa falënderoi UNDP-së dhe UNICEF-in për mbështetjen.