Lajmet e fundit

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi mbajtur në konferencën me temën: Alternativat Energjetike në Kosovë

, 27.01.2012




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori sot pjesë në konferencën me temën: Alternativat Energjetike në Kosovë, organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP). Me këtë rast ai mbajti këtë fjalë rasti:" Paraprakisht më lejoni të shpreh konsideratën time të veçantë për angazhimet tuaja mbi identifikimin e sfidave dhe mundësive alternative të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. Pres që kjo konferencë përveç që do të trajtojë njërën nga çështjet mjaft të rëndësishme, si burimet e ripërtëritshme të energjisë, të rezultojë dhe me rekomandime që do të inkurajonin investimet private në sektorin e energjisë.

Energjia është sektor kyç për ekonominë e Kosovës, veçanërisht për shkak të potencialeve të mëdha të burimeve të linjitit që ka vendi ynë. Sipas skenarëve aktualë, sektori energjetik te ne është i dominuar nga KEK-u. Pothuajse 90% e prodhimit të energjisë është nga djegia e linjitit.

Procesi i reformimit dhe ristrukturimit në ketë sektor po kalon nëpër shumë vështirësi, duke dështuar kështu së paku deri më tani, të përmbushë caqet e vëna nga Strategjia për energji dhe legjislacioni vendor e ndërkombëtar. Edhe përkundër subvencioneve të mëdha ndërkombëtarë dhe nga buxheti i Kosovës, të dedikuara në këto dhjetë vitet e fundit KEK-ut, megjithatë ai nuk ka arritur të sigurojë përformancë të cilësuar, e cila do të garantonte se kjo korporatë do të jetë e vetëqëndrueshme financiarisht dhe të garantojë ristrukturim rrënjësor, i cili do të përmbushte kushtet e vëna nga Direktiva e BE-së. Sipas kësaj gjendjeje ende vazhdon risku i furnizimit permanent me energji elektrike, eksploatimi joracional i burimeve energjetike dhe mospërmbushje e konditave mjedisore.

Eksperienca nga vendet e zhvilluara ka treguar se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është i mundur vetëm pas vendosjes së drejtë të marrëdhënieve në mes të shfrytëzimit racional të resurseve natyrore,në njërën anë dhe rritjes ekonomike e qëndrueshmërisë mjedisore, në anën tjetër.

Kosova paraqet një vend me konsum mesatar të energjisë për banor. Të gjitha parashikimet mbi rritjen ekonomike rezultojnë se do të ketë një rritje të lartë të kërkesës për energji, e të cilat me ketë gjendje të sektorit nuk ka mundësi të përmbushën nga prodhimi vendor. Në këtë kontekst, zhvillimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, përfshirë këtu edhe energjinë nga burimet alternative, do të ndikonte në përmirësimin e furnizimit me energji, do të zvogëlonte vartësinë nga importi i energjisë dhe do të rriste mundësitë për përmbushjen e caqeve të Strategjisë.

Kosova synon integrimin në BE. Andaj jemi të vetëdijshëm që ky proces, përveç që kërkon reformim dhe ristrukturim të thellë të sektorit energjetik, njëkohësisht kërkon edhe një qasje të re prodhuese e cila do të garantonte në masën 20% zvogëlim të emetimit të gazrave (efekti sere), 20% rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në konsumin total të energjisë dhe 20% përmirësimin e efiçiencës së energjisë. Këto çështje, jo vetëm që janë caqe të vëna sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë në Evropën Juglindore (në të cilën edhe Kosova është një nga palët kontraktuese), por do të duhej të konsiderohen edhe si objektiva strategjike për zhvillimin dhe ristrukturimin e sektorit të energjisë. Në këtë drejtim Kuvendi, Qeveria dhe institucionet adekuate për sektorin e energjisë do të avancojnë një numër reformash dhe strategjish të cilat do te përfshinin:

Zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, përfshirë edhe burimet e ripërtëritshme;

Reformimin e sektorit energjetik, në përputhshmëri me kërkesat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë;

Heqjen e monopolit dhe sigurimin e tregut të lirë;

Zhvillimin e një kornize gjithëpërfshirëse për koncesionet dhe privatizim për investitorët privatë strategjikë;

Promovim të efiçencës së energjisë dhe investimeve private në projektet e energjisë nga burimet e ripërtëritshme;

Aplikimi i tarifave stimuluese, sidomos për energjinë nga burimet e ripërtëritshme dhe

Promovimin e avantazheve që sjellin investimet në kapacitet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Duke konsideruar se potencialet e energjisë (diellore, hidrocentraleve, biomasës, mbetjeve urbane, etj.) edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të pashfrytëzuara dhe rëndësia që ato kanë në zhvillimin e sektorit energjetik, institucionet e Kosovës do të garantojnë kuadrin e plotë ligjor dhe rregullator, i cili do t'i promovonte këto, në burime afatgjate dhe të qëndrueshme për prodhim të energjisë dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.

Duke falënderuar organizatorët, Konferencës i uroj mbarëvajtje dhe sukses të plotë", theksoi kryekuvendari Krasniqi.

 

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi mbajtur në konferencën me temën: Alternativat Energjetike në Kosovë