Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 30.01.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar mundësinë që Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të miratuar një rezolutë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, konform deklaratës që e kanë nënshkruar, ditë më parë, kryetarët e partive në takim me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryesia ka kërkuar që grupet parlamentare ta formalizojnë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme konform Rregullores së Kuvendit, si dhe ta caktojnë kohën e mbajtjes së saj, kurse administrata e Kuvendit është në pritje të parashtrimit zyrtar të kësaj kërkese.

Kryesia po në mbledhjen e sotme ka përcaktuar edhe rendin e ditës për mbledhjen ne rregullt plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten, më 2 shkurt.

Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për shërbimet e shoqërisë informatike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për turizmin dhe shërbimet turistike, si dhe Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për ndihmë juridike falas.

Kryesia ka autorizuar nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti të kujdesen për aktivitetet e Kuvendit për ditën e Pavarësisë së Kosovës, të cilat do të mbahen më 16 shkurt të këtij viti.

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit