Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 01.02.2012
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdaliu, shqyrtoi Peticionin e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës dhe kërkesën e KMLDNJ-së për mbështetje financiare nga ana e Kuvendit. Po ashtu, në këtë mbledhje Komisioni shqyrtoi edhe Planin e Punës për vitin 2012, ndërkaq formoi grupin punues për amendamentimin e Projektligjit për personat e verbër.
Gjatë shqyrtimit të peticionit, i cili përmbante më se 17 mijë nënshkrime të pensionistëve të Kosovës, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e pensionistëve, të cilët para Komisionit paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Kryetari i Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës, Fahri Buçinca, para anëtarëve të Komisionit fillimisht foli për ecurinë e nënshkrimit të Peticionit. Ai me këtë rast vuri në pah se peticioni është nënshkruar nga 17.800 pensionistë, dhe i njëjti i është dorëzuar edhe kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi. Buçinca në vijim foli për gjendjen e rëndë të pensionistëve, me theks të veçantë për gjendjen e rëndë materiale duke mos lënë anash edhe gjendjen e rëndë shëndetësore. Në vijim, Buçinca para Komisionit paraqiti kërkesat e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës, të formuluara në 12 pika. Disa nga kërkesat e paraqitura nga ai me këtë rast ishin: që në ligj të përfshihet kategorizimi i pensioneve sipas përgatitjes shkollore, përvojës së punës dhe kontributit në fondin e pensionistëve; që pensioni mesatarë në Kosovë të jetë 60% nga rroga mesatare në Kosovë; të mos prolongohet miratimi i ligjit, ndërkaq pensionet të rriten me ndonjë vendim ose akt të posaçëm; kurse deri në miratimin e ligjit të sigurohen subvencione apo lehtësira për pagimin e rrymës, ujit, nxehjes, transportit urban, ilaçet etj. Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, vlerësuan se kërkesat e pensionistëve janë të drejta dhe do t'i mbështesin ato. Po ashtu, Komisioni u rekomandoi atyre që peticioni i nënshkruar prej tyre tu dorëzohet edhe ministrive relevante, përkatësisht asaj të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Anëtarët e Komisionit, po ashtu vlerësuan se lidhur me shqetësimet e pensionistëve duhet zhvilluar edhe debat parlamentar. Lidhur me këtë, Komisioni vendosi që t'i drejtohet Kryesisë së Kuvendit, që në një nga mbledhjet e ardhshme të saj ta radhisë në rend dite peticionin e Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi kërkesën e KMLDNJ-së, për mbështetje financiare nga ana e Kuvendit. Lidhur me këtë, Komisioni u dakordua që KMLDNJ-ja për të ushtruar veprimtarinë e vetë më me sukses, duhet siguruar mbështetje materiale. Por, pasi Komisioni nuk ka mandat të vendosë për këtë çështje u vendos t'i rekomandohet Kryesisë së Kuvendit të miratojë kërkesën e KMLDNJ-së për ndihmë financiare.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe Planin e Punës për vitin 2012, ndërkaq, formoi edhe grupin punues për amendamentimin e Projektligjit për personat e verbër.