Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

, 02.02.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), si rëndom në seancat e rregullta të Kuvendit u ka dhënë mundësinë deputetëve të ngritin çështje jashtë rendit të ditës që vlerësojnë se janë me interes për qytetarët e Kosovës.

Në përfundim të kësaj pike deputetëve iu drejtua kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili fillimisht e ka përshëndetur Rezolutën e fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke u zotuar se do të përmbushë në përpikëri obligimet që dalin nga kjo Rezolutë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Në këtë agjendë hyn edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike, ka theksuar kryeministri, duke pohuar se Qeveria e Kosovës do t'u përgjigjet kërkesave të Kuvendit dhe obligimeve ndërkombëtare.

"Dua t'ju siguroj se qëndrimet e shprehura në Kuvend janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me Dokumentin e Ahtisarit. Rezoluta 1244 është e tejkaluar, kurse shteti i Kosovës është i përjetshëm", është shprehur kryeministri Thaçi, duke u garantuar deputetëve se vendimet e Kuvendit do të zbatohen në plotëni,duke i përkujtuar njëherësh ata se Pavarësia e Kosovës ka qenë kompromis yni.

Në vazhdim të seancës ministrat: Ramë Buja, Dardan Gashi, Bedri Hamza dhe Besim Beqaj, u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Në të njëjtën seancë deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë tri projektligje, kurse një tjetër e kanë shqyrtuar për herë të dytë.

Projektligjin për shërbimet e shoqërisë informatike, e ka prezantuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke vënë në spikamë se me këtë ligj vihen bazat e transaksioneve ekonomike ndërmjet shërbimeve elektronike. Ai është shprehur i bindur se shërbimet dhe pagesat, kësisoj bëhen shumë të sigurta, si dhe ka përmendur taksativisht rastet kur për transaksione të caktuara nevojiten dokumente të shkruara.

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për turizmin dhe shërbimet turistike, e ka prezantuar zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusasri-Lila, e cila ka folur për qëllimin, rëndësinë dhe fushën që mbulon ligji, e duke e përmendur krijimin e Organizatës Nacionale të Turizmit,e cila do të merret me promovimin dhe zhvillimin e kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë së vendit tonë.

Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror, ndërkaq, e ka paraqitur m0inistri i Infrastrukturës dhe Telekomunikacionit, Fehmi Mujota.

Në emër të komisionit funksional për këto projektligje ka folur deputeti Zenun Pajaziti, kurse pas deklarimit të shefave të grupeve parlamentare dhe diskutimeve të deputetëve për këto projektligje, me shumicë votash të deputetëve edhe janë miratuar. Janë ngarkuar komisioneve parlamentare të Kuvendit për amendamentimin e tyre n deri në fazën e shqyrtimit të dytë në seancë plenare.

Në po këtë seancë deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë, si dhe e kanë miratuar përfundimisht Projektligjin për ndihmë juridike falas.

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit