Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës

, 15.02.2012




Punimet e mbledhjes së sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës filluan me një minutë heshtje në nderim të viktimave të fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit, që u mbytën si pasojë e ortekut të borës.

Pas shterimit të pikave e përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët shqyrtuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, të cilin projektligji e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza.

Ai mes tjerash theksoi faktin se në këtë projektligj janë liruar nga tvsh-ja mediat elektronike dhe të shtypura për furnizimet, shërbimet dhe mallrat e importuara, gazetat, revistat, universitetet private, shërbimet spitalore dhe kujdesi mjekësor.

Ministri Hamza tha se ndryshimet në këtë projektligj janë me qëllim të avancimit të mëtejmë të legjislacionit për tatimin mbi vlerën e shtuar, vënien e tij në funksion të plotë të përkrahjes së bizneseve, zhvillimit të aftësimit profesional dhe uljes së kostos për mirëqenien e shërbimeve sociale. Krejtësisht në fund ministri Hamza deklaroi se nga ky ligj përfitojnë mediat, sektori i shëndetësisë, si dhe sektori i arsimit.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, u përkrah në parim nga deputetët e Kuvendi.

Në vazhdim të seancës së Kuvendit të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniq, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Xhavit Haliti) deputetët dënuan dhe kundërshtuan mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës përmes miratimit të një deklarate të harmonizuar nga grupet parlamentare. Mbajtja e referendumit ilegal është kundërshtuar nga faktori ndërkombëtar dhe nga Qeveria e Kosovës, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci gjatë prezantimit të kësaj deklarate.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se ky grup parlamentar do të apstenojë në votimin e kësaj deklarate, meqë në të janë përfshirë dy pika të panevojshme. Ai shtoi se bazuar në këto dy pika thirret për zbatim të Planit të Ahtisarit, si dhe për shkak se mungon një pikë tjetër në të cilën do të duhej të jetë e përfshirë kërkesa për ekzekutivin që të marrë masa konkrete në pengimin e mbajtjes së një referendumi të tillë, theksoi Ymeri.

Deklarata lidhur me mbajtjen e referendumit ilegal nga ana e strukturave ilegale serbe në veri, e harmonizuara nga grupet parlamentare (me përjashtim të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!) u mbështet nga deputetët e Kuvendit, me disa plotësime të cilat u paraqitën gjatë kësaj seance.

Me anë të kësaj deklarate Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton dhe e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Tutje, deputetët shqyrtuan dhe miratuan edhe Projektligjin për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe Projektligjin për Arkivat.

Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën me shumicë votash edhe Propozim-Programin e punës së Kuvendit, për vitin 2012. Disa nga kryetarët e komisioneve parlamentare duke paraqitur qëndrimet e tyre për këtë çështje, theksuan se meqë jemi në procesin reformues të Kushtetutës, shumë ligje pritet të vijnë në Kuvend për t'u ndryshuar, duke përmendur mes tjerash edhe iniciativën për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. U theksua po ashtu se 40 për qind e kësaj strategjie legjislative do të ndryshojë, ndërsa shtuan se e gjithë puna e Kuvendit varet nga Qeveria si sponzoruese e ligjeve. U tha se ekzekutivi duhet ta respektojë dinamikën dhe procedurat e ligjeve, si dhe të dërgojë me kohë projektligjet në Kuvend.

Më tej deputetët duke kritikuar faktin se zbatimi i ligjeve në Kosovë po fillon me vonesa, theksuan se edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit duhet të përfundojë sa më shpejt.

Po ashtu u tha se viti 2012 do të jetë shumë dinamik për Kuvendin dhe se plani i paraqitur është ambicioz dhe tejkalon kapacitetet e Kuvendit.

Kuvendi po ashtu shqyrtoi dhe miratoi edhe raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Punës, si dhe përkrahu kërkesën e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për afat shtesë për ta shqyrtuar Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve.

 

 

Mbledhja plenare e Kuvendit të KosovësMbledhja plenare e Kuvendit të KosovësMbledhja plenare e Kuvendit të KosovësMbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës