Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, vizitoi Memorialin Përkujtimor Adem Jashari, në Prekaz
, 17.02.2012
Sot, në katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga këshilltarët e tij, bëri homazhe në Memorialin Përkujtimor "Adem Jashari", në Prekaz, duke vendosur kurorë me lule.
Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi, fillimisht uroi të gjithë qytetarët për ditën e pavarësisë dhe të lirisë, ndërkaq theksoi se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e shohin obligim dhe përgjegjësi për të bërë nderime, aty ku historia ka ndryshuar rrjedhat e saj pozitive.
"Ne ishim këtu për të vendosur lule për pavarësinë e Kosovës dhe jemi të bindur që të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës e kanë kontributin e vet për këtë ditë. Por, kryekontributi për këtë, është në këtë lagje. Të gjitha shenjat janë këtu, meqë këtu është bërë një ngjarje e madhe dhe një kthesë e madhe", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Kjo kthesë dhe kjo ngjarje, shtoi kreu i Kuvendit, i ka hapur të gjitha perspektivat të cilat i kemi sot në Kosovë. "I ka hapur perspektivat si qytetarë, si institucione, si politikë, si vend që pretendojmë që vërtetë ta gëzojmë këtë të cilën e kemi arritur dhe t'i konsolidojmë institucionet, si dhe të krijojmë siguri dhe kualitete tjera për jetën e qytetarëve të Kosovës", tha kryetari i Kuvendit.
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, me ç'rast u uroi festën e pavarësisë së Kosovës.