Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
, 28.02.2012
Projekti i Iniciativës Qytetare "Ta pastrojmë Kosovën", u prezantua sot në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës. Me qëllimet e këtij Projekti, i cili realizohet nën moton "T'i japim vendit ngjyra", anëtarët e Komisionit u njoftuan nga koordinatori, Luan Hasanaj. Me këtë rasat, Hasanaj tha:" Projekti ka për qëllim mobilizimin e qytetarëve të Kosovës për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit". Këtij Projekti, vijoi ai, përmes një letre i është dhënë mbështetje edhe nga Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ullrice Lunacek. Duke kërkuar mbështetje edhe nga Komisioni, koordinatori i këtij Projekti në vijim njoftoi se dita e pastrimit të Kosovës do të realizohet më 24 maj 2012, me ç'rast synohet mobilizimi i më shumë se 50 mijë vullnetarëve. Deri më tani, tha në vijim Hasanaj, kemi bërë aktivitete promovuese (fushata mediale dhe aktivitete të tjera sensibilizuese), kemi krijuar grupe koordinuese dhe kemi identifikuar vendndodhjen e mbeturinave në tërë territorin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit Nait Hasani, ndërkaq, e përgëzoi atë për punën e deritashme dhe e siguroi atë se Komisioni që ai drejton do të jetë në mbështetje të pakursyer të kësaj iniciative.
Në këtë mbledhje Komisioni shqyrtoi dhe miratoi disa amendamente të Projektligjit për mbeturina. Amendamentet e këtij Projektligji, Komisioni do të vazhdojë t'i shqyrtojë edhe nesër.