Lajmet e fundit

Rekomandimet e Kuvendit lidhur me trajtimin e grave

, 09.03.2012




Legjislatura IV
Kuvendi,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 67 të Rregullores së Kuvendit, në mbledhjen plenare, të mbajtur më 9 mars 2012, pas shqyrtimit të kërkesës së Grupit të Grave Deputete, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, miratoi këto


                                    R E K O M A N D I M E


1. Trajtim i veçantë institucional i grave të dhunuara gjatë luftës. Gjithashtu i bëjmë thirrje drejtësisë vendore e ndërkombëtare t'i dënojë kryerësit e këtyre krimeve që paraqesin elemente të krimit e të gjenocidit;

2. Të hartohen politikat që fuqizojnë ekonomikisht gratë dhe favorizojnë iniciativat e grave në biznes. Ministria e Integrimeve Evropiane të ndërmarrë veprime konkrete për të përfituar fondet strukturale të BE-së të cilat do të shfrytëzoheshin për gratë në: ndërmarrësi, afarizëm, bujqësi, artizanat dhe shkencë;

3. Në universitete të zhvillohen kurrikula në favor të politikave gjinore, në veçanti politikave që përgatisin gratë për veprimtari ekonomike. Po ashtu, të rishikohen tekstet mësimore në të gjitha nivelet dhe të pastrohen nga të gjitha stereotipet negative për gratë;

4. Të zbatohen në tërësi dispozitat kushtetuese, ligjore dhe konventat ndërkombëtare për përfaqësimin e barabartë të grave në diplomaci;

5. Të respektohet Ligji për barazinë gjinore në bordet e ndërmarrjeve publike;

6. Të zbatohet në tërësi strategjia kundër dhunës në familje dhe të ndëshkohen me dënime serioze ushtruesit e dhunës;

 

7. Të zbatohet në tërësi Ligji i punës. Në veçanti të ndërmerren veprime konkrete nga Inspektorati i Punës; dhe

8. Të zbatohen në tërësi dispozitat kushtetuese, ligjore dhe ato që dalin nga obligimet ndërkombëtare, për trajtimin e barabartë të gruas në shoqëri.


Nr. 04-V-315

Prishtinë, më 9 mars 2012

Kryetari i Kuvendit
________________
Jakup KRASNIQI