Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 12.03.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit Behar Selimi, u shqyrtuan dhe u përkrahën këto raporte me amendamente të komisioneve funksionale, të këtyre projektligjeve: Projektligjit nr. 04/L-80 për lojërat e fatit, Projektligjit nr. 04/L-094 për shërbimet e shoqërisë informatike, Projektligjit nr. 04/L - 97 për bibliotekat në Republikën e Kosovës, si dhe të Projektligjit nr. 04/L-83 për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve.

Anëtarët e komisionit po ashtu shqyrtuan dhe përkrahën edhe përfundimin e Kryesisë për emërimin e anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës, ndërkaq u njoftuan edhe lidhur me raportin e Avokatit të Popullit për
ngjarjet në protestat e datës 14 dhe 22 janar 2012.

Më tej u shqyrtuan edhe propozim amendamentet e grupit të punës të Projekt-kodit penal të Republikës së Kosovës, si dhe raporti me amendamente të komisionit funksional të Projektligjit nr. 04/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222, për të cilat çështje vendimi përfundimtar do të merret në mbledhjen tjetër të radhës.

Anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe strategjinë dhe planin e veprimit kundër korrupsionit, për vitin 2012-2016. Me këtë rast, meqë votat pro dhe kundër për këtë çështje ishin të barabarta, u vendos që edhe kjo pikë e rendit të ditës të diskutohet në mbledhjen tjetër të radhës.

Krejtësisht në fund të mbledhjes u përkrah edhe propozimi i anëtarit të komisionit dhe kryetarit të Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, Armend Zemaj, për nismën e procedurës për hartimin e Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, me ç‘rast u formua grupi i punës.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion