Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 12.03.2012
Komisioni për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme dëgjoi tri raporte: të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport,Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë për Qeverisje Lokale, që kishin të bëjnë me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit 2011. Me këtë rast ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, duke u përqendruar në çështjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave lidhur me të drejtat kulturore, theksoi se në Raportin e Progresit evidentohet se në këta lëmenj ka progres nga ana e kësaj ministrie, por ka edhe mangësi. Në këtë vështrim nuk është arritur ende nivel i duhur i dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, përkatësisht dispozitat përkatëse ligjore nuk janë sa duhet të qarta, si dhe nuk janë përcaktuar mirë kompetencat e disa institucioneve. Ajo çfarë është thelbësore, tha Krasniqi, është fakti që trashëgimia kulturore është prioritet i angazhimeve të Ministrisë. Në këtë frymë rezultate të rëndësishme janë arritur posaçërisht në mbrojtjen e monumenteve kulturore, si dhe restaurimin tyre në bashkëveprim me partnerë ndërkombëtarë. Në këtë aspekt vlen të përmendet edhe realizimi i Projektit të intervenimit emergjent në 16 monumente, ndërsa në 40 monumente intervenohet për t' ua zgjatur jetën, derisa të sigurohen mjetet e nevojshme financiare për meremetimin e duhur të tyre. Ministria tashmë ka hartuar edhe listën e monumenteve (prej 930 sosh), e cila është evolutive, përkatësisht ajo mund të plotësohet edhe më. Kjo listë prezanton diversitetin e pasur kulturor të Kosovës, theksoi Memli Krasniqi.
Në emër të ministrit të Administratës Publike, para Komisionit raportoi zëvendësministri i kësaj ministrie , Hajredin Hyseni, i cili në fillim theksoi se reforma e administratës publike përbën thelbin e përkushtimit të kësaj ministrie drejt krijimit të një administrate profesionale,efikase dhe moderne. Në këtë frymë ai tha se është formuar një grup ndërministror, i cili në strategjinë e vet deri në vitin 2913 ka 12 prioritete. Ministria ka aprovuar një varg rregulloresh që krijojnë standarde, në bazë të të cilave krijohen edhe rregullat e brendshme, duke ngritur bazë të shëndoshë për reformë të mirëfilltë në administratën publike. Ai në vijim theksoi se është bërë një përparim i madhe sidomos në zbatimin e Ligjit për qasje në dokumentet zyrtare.
Ministri për Qeverisje Lokale, Slobodan Petroviq, në fjalën e tij u ndal në ndihmën buxhetore që kjo ministri u ndan komunave , sidomos në sferën e investimeve kapitale. Qeveria e Kosovës, theksoi ai, ka mbështetur komunat e reja për ndërtimin e objekteve komunale në Graçanicë,në Kllokot dhe në Ranillug nga fondet e IPA-s të Komisionit Evropian, që menaxhohen në bashkëpunim me këtë ministri. Përkitazi me monitorimin e vazhdueshëm të organeve komunale në zbatimin e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronave të paluajtshme komunale, Ministria për Qeverisje Lokale vlerëson se autoritetet lokale kanë pasur vështirësi në zbatimin e këtij ligji, ndaj duke ndjerë këtë shqetësim ajo, në bashkëpunim të ngushtë me Projektin DEMI/USAID, ka hartuar konceptin, i cili i paraprin ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji.
Të tre raportuesit ishin të një mendjeje, ashtu si edhe anëtarët e komisionit, se angazhim parësor i ministrive duhet të jetë krijimi i bazës legjislativë që rregullojnë lëmenjtë përkatës. Po kështu, ata ishin optimistë se objektivat e parashtruar nga ministritë do të realizohen dhe se në mbështetje të kësaj edhe Raporti i Progresit për këta lëmenj do të jetë i favorshëm.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e Komisionit shqyrtuan nenin 37 të Projektligjit për transmetuesin publik, që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtorit në kanalin në gjuhën serbe. Anëtarët e Komisionit pas shqyrtimit të amendamentit për këtë çështje e përkrahën atë dhe njëherësh u përkrah procedimi i këtij Projektligji për shqyrtim të dytë në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, në vijim anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe kërkesën e Grupi Parlamentar 6+, sipas së cilës RTK mund të zgjerojë rrjetin e tij transmetues edhe me kanale të tjera, duke përfshirë edhe kanalin në gjuhët e komuniteteve të tjera. Kjo kërkesë do të prezantohet në Kuvend, por pa përkrahje të Komisionit.