Lajmet e fundit
Rezoluta lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
, 16.03.2012
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje në nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Duke ritheksuar se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe shoqëri multietnike me parime evropiane,
Duke theksuar zotimin tonë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës,
Duke riafirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ardhmen e saj euro-atlantike dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore,
Duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë të drejtat e komuniteteve dhe të drejtën e dyshtetësisë, duke marrë në konsideratë që të gjithë ata që kanë dy shtetësi në vendet evropiane kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat mbahen në shtetet në të cilat ata kanë shtetësinë përkatëse,
Në mbledhjen plenare të mbajtur me 15 mars 2012, miratoi këtë:
R e z o l u t ë
1. Theksojmë se është shkelje e sovranitetit dhe cenim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, që të organizojë në mënyrë të njëanshme zgjedhje të përgjithshme dhe lokale në një shtet tjetër evropian;
2. Konkludojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk lejon mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës të realizojë këtë vendim.
3. Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, njëzëshëm theksojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë ta bashkuar kundër mbajtjes së çfarëdo procesi zgjedhor i cili do të minonte sovranitetin shtetëror të Kosovës, do të cenonte shtetësinë e saj, do të cenonte integritetin territorial të saj dhe rrjedhimisht do të minonte procesin e pajtimit ndëretnik në Kosovë;
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon se të gjitha subjektet politike, qofshin ato në pozitë apo opozitë, do të punojnë në përputhje me parimet evropiane, me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nr. 04-R-06
Prishtinë, 15 mars 2012
Kryetari i Kuvendit,
Jakup Krasniqi