Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

, 29.03.2012




Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Sabri Hamiti), pas shterimit të pikave e përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët për herë të dytë shqyrtuan Projektligjin nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë ( i bartur nga seanca e mëparshme).


Fillimisht, deputetët gjatë mbledhjes së sotme kanë hequr nga rendi i ditës shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, meqë kjo ishte kërkesë e kryetarëve të komisioneve funksionale.


Deputetët po ashtu me shumicë votash vendosën që në mbledhjen e sotme pikë e rendit të ditës të jetë edhe shqyrtimi i Projektligjit nr. 04/L-93 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jobankare.


Më tej, gjatë shqyrtimit të Projektligjit nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë, kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Idriz Vehapi, në arsyetimin e tij për raportin me rekomandime, theksoi se gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në komisionin funksional janë harmonizuar edhe qëndrimet e propozuara nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe ICO-ja.


Me këtë rast deputetët përkrahën ligjin në tërësi me 21 amandamentet e propozuara të këtij projektligji, përfshirë edhe amendamentin 6, pa përkrahjen e komisionit funksional. Amendamenti 6 është propozuar nga Grupi Parlamentar 6+, të cilin e prezantoi deputetja Duda Balje, ndërkaq ky amendament parasheh hapjen e kanalit të tretë për komunitetet.


Në vijim shefat e grupeve parlamentare, asaj të Lidhjes Demokratike të Kosovës (deputeti Ismet Beqiri), të Lëvizjes Vetëvendosje (deputeti Visar Ymeri), si dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (deputeti Ardian Gjini), theksuan se lëshojnë mbledhjen e sotme plenare për shkak siç deklaruan ata, në Kuvend po miratohen ligje të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.


Kryeparlamentari Krasniqi duke theksuar se në mbledhjen e sotme nuk janë shkelur procedurat, tha se mbledhja plenare e Kuvendit vazhdon gjatë ditës së nesërme (e premte) duke filluar nga ora 10:00.

 

 

 

Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit