Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 02.04.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar sot raportet vjetore të katër agjensioneve të pavarura, projeksionin buxhetor të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për periudhën prill - qershor 2012 dhe dy projektligje.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Sulejman Shaqiri, prezantoi para komisionit projeksionin buxhetor për periudhën tremujore, i cili, siç tha ai, është i planifikuar konform ndarjes buxhetore të paraparë me ligj. Projeksioni u përkrah nga anëtarët e komisionit.
Raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për vitin 2011, u prezantua nga kryetari i Bordit të KRPP-së, Safet Hoxha, i cili dha një pasqyrë të punës dhe aktiviteteve të komisionit që udhëheq. Ai tha se gjatë vitit 2011 është vërejtur një përmirësim në fushën e prokurimit publik në Kosovë, përderisa sfidë, sipas tij, ende mbetet çështja e tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos i raportojnë këtij komisioni.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, theksoi se grupi punues i komisionit, gjatë shqyrtimit të raportit, ka kërkuar sqarime shtesë nga ana e KRPP-së, ndërkaq që pas ofrimit të tyre, raporti vjetor, sikurse edhe ai financiar, i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për raportim.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve të shtruara nga ana e anëtarëve të komisionit, të cilët kërkuan sqarime të tjera për punën e komisionit, raporti u përkrah dhe u procedua për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për vitin 2011, të cilin e prezantoi udhëheqësi i OSHP-së, Hyseni Hoxha. Ai u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të komisionit, të cilat kishin të bënin kryesisht me vërejtjet e Raportit të Progresit.
Në këtë mbledhje, pas sqarimeve shtesë dhe me disa vërejtje, u përkrahën edhe raportet financiare të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe të Zyrës Rregullative për Ujësjellës dhe Mbeturina, për vitin 2011, që para komisionit i prezantuan udhëheqësit e tyre, Ahmet Krasniqi dhe Raif Preteni.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, me raportin me amendamente të komisionit funksional, pas konstatimit se kostoja buxhetore e tij është e përballueshmem për buxhetin e shtetit. U përkrah, gjithashtu, edhe raporti me amendamente i grupit punues të komisionit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, duke u proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.