Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Kuvendit Kombëtar Hungarez

, 04.04.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion parlamentar nga Hungaria, anëtarë të Komisioneve të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Kuvendit Kombëtar Hungarez, të kryesuar nga Csampa Zsolt, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes.

Kryetari Krasniqi, duke shfaqur kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, përkatësisht, dy parlamenteve, shprehu interesimin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet e zgjerohet edhe më tej. Kryetari i Kuvendit përmendi vizitat e ndërsjella dhe nevojën për intensifikimin e tyre, duke çmuar në këtë rast përvojën parlamentare hungareze.

Kryetari Krasniqi, një theks të veçantë i kushtoi edhe bashkëpunimit ndërmjet administratave të të dy parlamenteve, duke përmendur Projektin e Binjakëzimit "Mbështetje për Kuvendin e Kosovës", projekti ky i financuar nga Komisioni Evropian por që do të implementohet nga Kuvendi Kombëtar Hungarez.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u ndal edhe në sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës aktualisht, me ç'rast, mosnjohjen nga pesë vende të BE-së e konsideroi si një nga pengesat kryesore në rrugën e saj të integrimit. Ai kërkoi mbështetjen hungareze në institucionet euro-atlantike, në mënyrë që ky proces të përshpejtohet.

Nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Csampa Zsolt, nga ana e tij, duke përcjellë përshëndetjet e kryeparlamentarit hungarez, bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve e cilësoi të një rëndësie të veçantë, posaçërisht atë ndërmjet komisioneve homologe dhe shfaqi gatishmërinë për të ofruar përvojën parlamentare hungareze.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Kuvendit Kombëtar Hungarez