Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisioni për Bujqësi ...
, 17.04.2012
Dëgjimi publik është mundësi e veçantë për përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, organizatave joqeveritare, ekspertëve, shoqatat e ndryshme dhe grupet e interesit që të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për projektligjin. Kështu tha kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, në hapje të diskutimit gjatë dëgjimit publik lidhur me Projektligjin për ndërtimet.
Qëllimi ynë, vijoi Hasani, është të nxjerrim një ligj i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Përpos përfaqësuesve të disa komunave, në këtë dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përkatësisht sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, përfaqësues të Asociacionit të komunave të Kosovës dhe përfaqësuesit e Asociacionit të arkitektëve të Kosovës.
Përfaqësuesi i MMPH-së, Çitaku, pasi falënderoi USAID-in për ndihmën e ofruar në fazën e draftimit të Projektligjit, tërhoqi vëmendjen duke thënë: "Duhet të kemi parasysh gjendjen në të cilën aktualisht gjendet Kosova dhe interesin ekonomik të saj. Reformat mbi ndërtimet do të arrihen në harmoni edhe me ligjet e tjera, duke u bazuar në praktikat më të mira të BE-së". Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, ndërkaq, njoftoi se gjatë një takimi me drejtorët e komunal të urbanizmit, është vlerësuar se Projektligji për ndërtimet është konfuz dhe i paqartë. Sipas tij, me këtë Projektligj komunat do të dëmtohen me miliona euro, ndërsa njoftoi se Komisionit i kanë ofruar rekomandimet që kanë pasur (12 sosh). Edhe diskutuesit e tjerë të këtij takimi dhanë vërejtje të shumta rreth Projektligjit. Sipas tyre, në Projektligj nuk janë të definuar qartë kompetencat dhe çështja e regjistrit të pronave. Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqatës së ndërtimtarëve, kërkuan që Ligji të parashehë kod unik me Euro-Kodin evropian të ndërtimeve. Duke vënë në dukje të metat e shumta të Projektligjit, të pranishmit kërkuan që gjatë fazës së amendamentimit të angazhohen ekspertë të fushave përkatëse, duke vlerësuar njëkohësisht se ata deri më tani kanë munguar. Sipas tyre ekspertëve s'u është dhënë hapësirë për të dhënë kontributin e tyre.
Në fund të këtij debati, anëtarët e Komisionit u shprehën të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim me të gjithë. Ata po ashtu, deklaruan se Komisioni do t'i mirëpresë rekomandimet lidhur me këtë projektligj.