Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 18.04.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua Projektligji për Diasporën nr. 04/L-95. Në fakt, anëtarët e Komisionit bënë amendamentimin e këtij Projektligji, të cilin njëkohësisht edhe e përkrahën për procedim të mëtejmë në Kuvend.
Në vijim u shqyrtua Raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2011. Në debatin lidhur me këtë Raport u shtrua nevoja e një bashkëpunimi më të thellë me Komisionin. U kërkua pa ashtu edhe një efektshmëri më e lartë në punën e KPM-së. Pas debatit Komisioni përkrahu dhe e procedoi më tutje këtë Raport.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje ishte edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2011. Para Komisionit, Raportin e prezantoi drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri. Ai theksoi se ky transmetues është duke arritur rezultate të rëndësishme në informimin e drejtë e të balancuar të qytetarëve me rrjedhat e gjithmbarshme shoqërore në vend e më gjerë. Ai u falënderua edhe për miratimin e Ligjit për RTK-në nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë debatit anëtarët e Komisionit e vlerësuan Raportin, si dhe punën që po bën ky transmetues publik, por njëkohësisht patën edhe disa vërejtje. U kërkua më shumë kreativitet në programet e emetuara, sidomos kur është fjala për programin e mëngjesit. Po kështu, shprehej kërkesa për hapësirë më të madhe ndaj deputetëve të rinj, talenteve të reja, kultivim më të gjerë të zërit të opozitës në ketë medium etj. Komisioni miratoi Raportin dhe e procedoi më tej në Kuvend.