Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 18.04.2012
Raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011, ishte pikë qendrore e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili para komisionit paraqiti raportin financiar, dha një pasqyrë të përgjithshme të të hyrave dhe shpenzimeve të të gjitha institucioneve, gjatë vitit të kaluar. Ai tha se raporti prezanton performancën e pakontestueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e menaxhimit të parasë publike. Sipas tij, gjatë vitit 2011 ka pasur rritje substanciale të të hyrave, tejkalim të planit të të hyrave në disa kategori, ngritje kualitative në kategorinë e investimeve kapitale dhe rënie simbolike të shpenzimeve në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, përkundër zgjerimit të dukshëm të fushëveprimit dhe krijimit të institucioneve të reja.
"Të hyrat e grumbulluara gjatë vitit 2011, duke mos përfshirë grandet e përcaktuara të donatorëve dhe fondet në mirëbesim, kanë qenë 1 303 328 000 euro. Kjo tregon se realizimi ka qenë në nivel të planit vjetor, ndërsa kemi një rritje prej 11 për qind në krahasim me vitin 2010", theksoi ministri Hamza.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi mbledhjen, vlerësoi se raporti është hartuar në pajtim me ligjin dhe se i plotëson kushtet për procedim në seancë plenare. Anëtarë të komisionit, duke dhënë vlerësime pozitive, raportin e konsideruan gjithëpërfshirës dhe të shoqëruar me hollësitë e nevojshme. Për raportin, pati edhe vërejtje nga ana e disa deputetëve të tjerë.
Pas diskutimeve, raporti u përkrah nga komisioni dhe u procedua për në seancë plenare.
Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve në Bordin për Rishqyrtimin e Ankesave. Pas diskutimeve dhe në bazë të kërkesës së ministrit Hamza, komisioni u pajtua që propozim-vendimi të kthehet për ndryshime në qeveri.
Raportin financiar të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, para komisionit e prezantoi përfaqësuesi i kësaj agjencie, Ruzhdi Jashari, i cili bëri një përshkrim përmbledhës të shpenzimeve financiare të këtij institucioni. Edhe ky raport u përkrah nga ana e komisionit.
Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve, me raportin me amendamente të komisionit funksional. Pas konstatimit se amendamentet nuk përmbajnë kosto shtesë buxhetore, komisioni e përkrahu projektligjin dhe e procedoi tutje në Kuvend.