Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mbajti ligjëratë në Kolegjin Universitar “Univerzum”

, 23.04.2012




"Kosova dhe qeverisja demokratike" ishte tema e ligjëratës që kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot para studentëve të Kolegjit Universitar "Univerzum" në Prishtinë.

Kryetari Krasniqi fillimisht bëri një vështrim historik mbi demokracinë dhe sistemet demokratike, fillet dhe përhapjen e saj në botë, ndërsa u ndal në zhvillimet e rëndësishme të fundviteve të ‘80-ta në Evropë, si: rënia e Murit të Berlinit dhe ndryshimet në BRSS, të cilat ndikuan në përhapjen e demokracisë edhe në vendet lindore të Evropës.

Sa i përket Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi u fokusua në proceset dhe zhvillimet e pasluftës, kur, sipas tij, u vunë bazat e sistemit demokratik. Me këtë rast, Krasniqi veçoi rolin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe vendeve të BE-së, në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, nxjerrjen e legjislacionit, zhvillimin e mediave të lira e të pavarura, shoqërisë civile, avancimin e të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve etj.

Shpallja e pavarësisë, shtoi kryetari Krasniqi, i hapi rrugë zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Kosovës, procesit të pajtimit e të mirëkuptimit ndëretnik dhe marrëdhënieve të mirëfillta ndërkombëtare.

"Demokracinë e një vendi, para së gjithash, e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet. Kushtetuta e Kosovës është dokumenti bazik ligjor që i jep mundësi një fryme të re të zhvillimit demokratik të Kosovës", tha kreu i Kuvendit, duke vlerësuar lart të drejtat e liritë e njeriut dhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, të sanksionuara nëpërmjet kësaj kushtetute. Kryetari Krasniqi tha se rendi kushtetues dhe ligjor duhet të vendosen edhe në veri të Kosovës, ku Beogradi zyrtar ka ngritur struktura ilegale dhe kriminale.

Gjatë ligjëratës së tij para studentëve, kryeparlamentari u ndal edhe në proceset e deritashme zgjedhore, të arriturat dhe mangësitë e shfaqura, duke shfaqur nevojën e reformimit të sistemit zgjedhor.

Krasniqi foli gjithashtu, edhe për rëndësinë e forcimit të vazhdueshëm të rolit të mediave e të shoqërisë civile, ndërkaq, më kritik u shfaq ndaj sistemit gjyqësor, për të cilin tha se nevojitet një reformë e mirëfilltë.

Sa i përket demokracisë në Kuvend, Krasniqi tha se legjislativi ka arritur me sukses të promovojë demokracinë e kulturën parlamentare, të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë, të forcojë të drejtën parlamentare dhe bashkëpunimi ndërparlamentar me shumë vende mike etj.

Studentët shtruan një varg pyetjesh në adresë të kryeparlamentarit Krasniqi, i cili dha përgjigje në interesimet e tyre.

Kryeparlamentari Krasniqi mbajti ligjëratë në Kolegjin Universitar  “Univerzum”