Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti përfaqësuesen e UNDP-së për Kroaci, znj. Louisa Vinton

, 23.04.2012




Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet UNDP-së dhe Kuvendit të Kosovës drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian ishte temë qendrore në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me znj.Louisa Vinton, përfaqësuese e UNDP-së për Kroaci. Me këtë rast, znj.Louisa Vinton theksoi se Kroacia është në përfundim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, megjithatë ka mendime se kjo rruga ka qenë e gjatë, ndaj edhe qëllim i kësaj vizite dhe synim i Zyrës së UNDP-së është që të gjenden rrugët sa më të shkurtra për vendet në tranzicion drejt integrimit në BE. Shih për këtë Zyra e UNDP-së për Kroaci shpreh gatishmëri për të ndihmuar me ekspertë që rruga e Kosovës drejt integrimit evropian të jetë sa më e shkurtër.

Kryekuvendari Krasniqi në fillim tha se me UNDP-në Kuvendi i Kosovës gjithnjë ka pasur bashkëpunim shumë të mirë. Përvoja e Kroacisë drejt integrimit evropian është e mirëseardhur. Në këtë vështrim mund të kontribuojë edhe bashkëpunimi ndërmjet komisioneve përkatëse parlamentare nga Kosova dhe Kroacia. Në vazhdim kreu i legjislativit të vendit Krasniqi foli edhe për punën që ka bërë e po bën Kuvendi i Kosovës në fushën e legjislacionit sipas standardeve evropiane."Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është pa alternativë, ndaj bashkëpunimi, ofrimi i përvojave dhe ndihma e ekspertëve janë të mirëseardhura", theksoi kryetari i Kuvendit Krasniqi.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti përfaqësuesen e UNDP-së për Kroaci, znj. Louisa Vinton