Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 23.05.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2011, si dhe Raporti i Auditimit të Pasqyrave Financiare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011.
Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave, Bedri Hamza, kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, si dhe përfaqësues të Njësisë Qendrore Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm.
Fillimisht ministri Hamza gjatë shqyrtimit të raportit vjetor për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik, për vitin 2011, paraqiti një ekspoze para anëtarëve të komisionit lidhur me këtë raport. Ai tha se në programet dhe prioritetet e punës së qeverisë është kërkuar nga të gjithë shpenzuesit e mjeteve buxhetore që të krijojnë sisteme efikase të kontrollit, menaxhimit të riskut, parasë publike dhe perfomancës operative, për të siguruar se burimet e alokuara për secilin subjekt të sektorit publik përdoren si duhet dhe në harmoni me ligjin.
Më tej Hamza shtoi se hartimi i këtij raporti është si rezultat i raporteve të marra nga njësitë e auditimit të brendshëm dhe vizitave në sektorin publik që financohet nga buxheti i vendit.
U sqarua se raporti prezanton të arriturat dhe sfidat gjatë vitit 2011 në fushën e auditimit të brendshëm, në nivelin qendror dhe lokal, krahasuar me vitin paraprak, aktivitetet e njësisë qendrore harmonizuese të auditimit të brendshëm, konkluzionet, gjetjet, rekomandimet, si dhe Planit të Veprimit për vitin 2012.
Kreu i MF-së, tha se gjatë vitit 2011 ka ngritje të akterëve të auditimit, të cilët ndikojnë në efikasitetin e auditimit të brendshëm siç janë: ngritja e numrit të auditorëve të brendshëm, ngritja e komuniteteve të auditimit të brendshëm, rritja e numrit të njësive efektive të auditimit të brendshëm, etj.
"Bazuar në raportet e njësisë së auditimit të brendshëm gjatë vitit 2011 janë kryer 392 auditime të brendshme dhe krahasuar me vitin e kaluar ka rritje prej 7. 69 për qind. Po ashtu janë dhënë 2. 379 rekomandime të vlefshme për menaxhmentin, prej tyre 52.59 për qind janë implementuar, 29.17 për qind janë në proces, ndërsa 18.24 për qind nuk janë implementuar. Një numër i tyre i përkasin periudhës së fundit të vitit 2010", theksoi Hamza.
Më tej ai shtoi se për të adresuar çështjet e paraqitura rekomandohet që të ndërmerren disa veprime gjatë vitit 2012, duke theksuar krijimin e njësive efektive të auditimit të brendshëm, duke i plotësuar njësitë e auditimit të brendshëm me staf të mjaftueshëm dhe profesional, pastaj rritjen e numrit të auditorëve të brendshëm në njësinë e auditimit të brendshëm në kuadër të Kuvendit të Kosovës, e cila njësi siç theksoi Hamza do të mbulonte me auditim të brendshëm të gjitha institucionet e pavarura buxhetore të cilat nuk i plotësojnë kriteret për themelimin e njësive të pavarura të auditimit të brendshëm.
Me këtë rast anëtarët e komisionit duke e vlerësuar raportin me kritika pozitive dhe duke bërë krahasimin me vitin e kaluar, theksuan se kjo njësi ka treguar progres në realizimin e detyrave të parapara me ligj. Madje, u theksua edhe fakti se organizatat buxhetore e kanë kuptuar rëndësinë e auditorëve të brendshëm.
Gjatë këtij takimi u ngritën çështje të ndryshme nga anëtarët e komisionit, me theks të veçantë lidhur me ndryshimin e stafit të auditorëve të brendshëm, projektit të trajnimit dhe certifikimit të auditorëve, si dhe për komitetet e auditimit, për të cilat çështje u përgjigj ministri Hamza, si dhe përfaqësues të Njësisë Qendrore Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm.
Anëtarët e komisionit duke përkrahur raportin e punës së Njësisë Qëndrore Harmonizuese, për procedim në seancë plenare, rekomanduan që të punohet edhe më tej në ngritjen e kapaciteteve me një intensitet më të shtuar të sferës së auditimit.
Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011.
Me këtë rast përfaqësues të ZAP-it, gjatë prezantimit të këtij raporti theksuan se KGJK-ja është zotuar se do të ndërmarrë hapa konkret drejt përmirësimit të gjendjes. Ndërkaq, si mangësi në KGJK u përmend fusha e prokurimit dhe menaxhimi i parasë së imët.
U theksua se njësia e auditimit të brendshëm këtë vit është funksionalizuar si dhe komiteti i auditimit, ndërkaq përfaqësues të ZAP-it deklaruan se rekomandimet e tyre janë marrë parasysh nga KGJK-ja.
Kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, tha se sa i përket prokurimit KGJK-ja ka ndërruar shefin e prokurimit me qëllim të përmirësimit në këtë fushë. Ai theksoi se të gjitha rekomandimet e ZAP-it janë marrë shumë seriozisht nga KGJK-ja dhe në të ardhmen do të adresohen të gjitha çështjet.
Anëtarët e komisionit bazuar në këtë raport konstatuan se në KGJK ka ndryshime pozitive nga viti i kaluar dhe pak të gjetura. Madje u theksua se KGJK-ja ka bërë një hap të mirë drejt plotësimit të rekomandimeve dhe ky fakt duhet të jetë shembull për organizatat buxhetore.