Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 04.06.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, deputetët fillimisht me shumicë votash kanë miratuar Raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të shqyrtuar në seancën e djeshme dhe të debatuar gjerësisht nga deputetët.

Në vazhdim të seancës plenare janë shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje nga Grupi i katërt i projektligjeve nga Propozimi i Martti Ahtisaarit.

Kryeparlamentari Krasniqi ua ka përkujtuar deputetëve se këto projektligje shqyrtohen dhe miratohen sipas procedurës së veçantë, konform mocionit të miratuar më 15 shkurt të këtij viti.

Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës e ka prezantuar zëvendkryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, Projektligjin për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës e ka prezantuar ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, Projektligjin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe Projektligjin për themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës i ka prezantuar ministri i Ekonomisë dhe Finanvave, Ahmet Shala, kurse Projektligjin për hekurudhat e Kosovës e ka prezantuar ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj.

Të pesë projektligjet janë miratuar në parim, kurse Komisioni as hoc parlamentar është autorizuar nga seanca që deri në shqyrtimin e dytë ( nesër në orën 14:00), t’i shqyrtojë dhe të propozojë amendamentet për këto projektligje.
Nga seanca plenare e Kuvendit