Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

, 12.06.2008




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, u shqyrtua për herë të parë grupi i fundit i projektligjeve nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit.

Projektligjin për shpërbërjen e Trupave Mbrojtje të Kosovës, atë Për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2005/20 për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2001/35 për Fondin Pensional të Kosovës, i ka prezantuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj.

Projektligjin për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2006/50 për zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale dhe Projektligjin për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2004/49 për veprimtaritë e ofruesve të shërbimeve të ujësjellësit, kanalizimit dhe të mbeturinave, i ka prezantuar Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar.

Projektligjin për ndryshimin e rregullores së UNMIK-ut 2005/2 mbi themelimin e Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë dhe Projektligjin për ndryshimin e Ligjit të Kuvendit të Kosovës 2004/9 mbi Rregullatorin e Energjisë, i ka prezantuar ministrja e Energjetikës dhe e Minierave, Justina Pula.

Projektligjin për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2003/16 për shpalljen e Ligjit për Telekomunikacion të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e ka prezantuar Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, kurse Projektligjin për ndërmarrjet publike dhe Projektligjin për ndryshimin e Rregullores se UNMIK-ut 2008/13 mbi miratimin e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës dhe shpenzimet e autorizuara për periudhën 1 janar deri me 31 dhjetor 2008, i ka prezantuar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Të dhjetë projektligjet janë miratuar në parim me shumicë votash të deputetëve të pranishëm në seancë.

Komisioni as hoc parlamentar është autorizuar nga seanca që deri në shqyrtimin e dytë (nesër në orën 16:00), t’i shqyrtojë dhe të propozojë raportin me rekomandime për këto projektligje.
Nga seanca plenare e Kuvendit