Lajmet e fundit
Krasniqi ia dorëzon Kushtetutën presidentit Sejdiu
, 15.06.2008
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në ditën e hyrjes në hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vendit, e ka vizituar presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu dhe i ka dorëzuar atij tekstin e Kushtetutës të botuar në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht), si dhe 41 ligjet nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisari, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi, 15 qershorin, kur hyn në fuqi Kushtetuta, e ka quajtur ditë historike për popullin e Kosovës, për institucionet e vendit, por edhe për faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë mbështetur procesin për Kosovën dhe me të cilët liderët e Kosovës janë konsultuar në të gjitha fazat e shtetformimit të Kosovës. Ai me këtë rast ka vlerësuar edhe kontributin e presidentit për Kushtetutën e vendit, kontributin e subjekteve politike, por edhe atë të ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë.
Duke ia dorëzuar presidentit projektligjet nga Pakoja e Ahtisarit, Krasniqi ka theksuar se me nënshkrimin e këtyre ligjeve dhe me publikimin e tyre në Gazetën Zyrtare të Kosovës, këto ligje do të hyjnë në fuqi, duke e përmbushur kësisoj obligimin ndaj qytetarëve tanë dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për këtë dhuratë të, në ditën që hyn në fuqi Kushtetuta dhe ka vlerësuar punën e madhe të Kuvendit për miratimin e ligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit, për dinamikën e lartë të kuvendarëve të Kosovës dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me ndërkombëtarët që e mbështesin Kosovën.
“Kam qenë pjesë paralele lidhur me e hartimin e Kushtetutës por edhe të projektligjeve, të cilat po i dekretojmë dhe të cilat janë qa shumë të nevojshme për Kosovën”, ka thënë Sejdiu, i cili ka vlerësuar kohezionin e treguar të forcave politike të Kosovës përballë përmbushjes së këtij obligimi ndaj qytetarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Më pastaj presidenti Sejdiu, në prani të kryeparlamentarit Krasniqi dhe të përfaqësuesit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka nënshkruar dekretet për 41 ligjet e miratuara nga Pakoja e Ahtisarit.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, presidenti Sejdiu dhe kryeparlamentari Krasnqi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi, në të cilën u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për zhvillimet në vend.