Lajmet e fundit

Tryezë e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim i Kuvendit të Kosovës, lidhur me kthimin e të zhvendosurve

, 20.06.2008




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Bojan Stojanoviq,kryetar i Komisionit, organizoi sot një tryezë të rrumbullakët me temë “Roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e projekteve për kthim të komuniteteve”. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Boban Stankoviq, si dhe përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe të institucioneve ndërkombëtare, si: USAID,OSBE, UNDP, ICO etj.

Duke iu drejtuar të pranishmëve kryeparlamentari Krasniqi theksoi se kthimi i gjithë të zhvendosurve në vatrat dhe pronat e tyre, është një nga prioritetet politike të Republikës së Kosovës. Tani pas pavarësimit të Kosovës dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës, institucionet tona obligohen akoma më shumë për t’u marrë me tërë seriozitetin dhe fuqishëm me këtë çështje sa të ndjeshme aq edhe të rëndësishme, jo vetëm në kuptimin humanitar, por edhe politik. Në vijim kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se në Kosovë po ndërtojmë një shoqëri të lirë me qytetarë të lirë dhe të barabartë. Duke zbatuar politikat për kthim të të gjithë qytetarëve që duan të kthehen në Kosovë, institucionet do të sigurojnë klimën politike të përshtatshme, kushtet e nevojshme dhe fondet financiare për këtë qëllim.

Lidhur me aktivitetet dhe projektet për kthim të të zhvendosurve dhe për integrimin e tyre në shoqërinë kosovarë, foli edhe ministri Boban Stankoviq, i cili theksoi se jemi në rrugë të drejtë dhe kësaj rruge nuk do t’ i shmangemi. Në këtë frymë kontribuon pajtimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si dhe realizimi i projekteve për kthim të të zhvendosurve . Përmirësimin e gjendjes në Kosovë, që reflektohet pozitivisht në kthimin e të shpërngulurve, ai e mbështeti në faktin se që nga viti 2004 në Kosovë nuk kishte konflikte. Po kështu pozitivisht po ndikon edhe realizimi konkret i shumë projekteve që mundësojnë kthim dhe jetë më të mirë të serbëve. Në këtë vështrim ai përmendi edhe realizimin konkret të shumë projekte të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim nga lëmi i ngritjes së objekteve të banimit dhe të infrastrukturës në vendbanimet serbe. Me këtë rast ai theksoi se edhe komunitetet tjera pakicë në Kosovë ballafaqohen me probleme, ndaj edhe ato duhet të ndihmohen. Qasje dominuese e diskutueseve ishte se është i nevojshëm një unitet i plotë i institucioneve dhe qytetarëve për krijimin e një klime sa më të mirë për të gjithë qytetarët, se duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme për integrim të të gjitha pakicave në të gjitha poret e jetës shoqërore e ekonomike në Kosovë. Ky synim është i mundshëm të realizohet, derisa ekziston vullneti i qytetarëve dhe institucioneve, sidomos duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka krijuar një bazë të gjerë ligjesh, të cilët iu përmbahen standardeve më të larta evropiane e botërore nga lëmi i demokratizimit të jetës dhe sigurimit të të gjitha të drejtave për të gjithë qytetarët pa dallim.

Mirëpo, përkundër kësaj qasjeje, nga disa pjesëmarrës , sidomos nga radhët e komuniteteve jo serbe, kishte dilema dhe mospajtime me punën e bërë deri tash në kthimin dhe integrimin e këtyre komuniteteve, duke u ankuar sidomos në gjendjen e vështirë sociale dhe të papunësisë, madje me tone më të nxehta, që herë - herë ngritnin paksa tensionin e ecurisë së tryezës. Megjithatë, dominoi mendimi se duhet të shkojmë nga gjërat që na bashkojnë, me një qëndrim të njëjtë për të gjithë qytetarët drejt një ardhmërie të përbashkët.

Disa diskutues u angazhuan edhe për një mbikëqyrje më të mirë gjatë realizimit të projekteve për kthim, për të mos lejuar shpërdorime të mjeteve financiare.
Tryezë e Komisionit  për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim i Kuvendit të Kosovës, lidhur me kthimin e të zhvendosurve