Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 24.06.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të drejtuar nga znj. Zylfie Hundozi, kryetare e komisionit, është debatuar për rëndësinë dhe metodologjinë e shqyrtimit të ligjeve nga ana e këtij komisioni.

Prezantimin fillestar lidhur me shqyrtimin e ligjeve nga ana e Komisionit për Integrime Evropiane e ka bërë eksperti për çështje ligjore, Michele Dinell. Ai e ka quajtur fat të mirë që institucionet dhe qytetarët e Kosovës kanë dëshirë që të jenë pjesë e integrimeve evropiane dhe që vendi ynë ka mundësi të miratojë ligje, të cilat janë të përafërta me legjislacionin Evropian. Ai ka përmendur listën e legjislacionit parësor të Bashkimit Evropian dhe atë dytësor, ndërkaq, vëmendje të veçantë gjatë prezantimi të tij i ka kushtuar Rregullave të Komunitetit (Acquis Communautaire), të BE-së, që janë kushti për anëtarësim në këtë union dhe bazament i funksionimit të legjislacionit të vendeve anëtare dhe i atyre që pretendojnë të anëtarësohen në BE, siç është rasti i Kosovës. Ai ka folur gjerësisht për nevojën e respektimit të njëzet kapitujve të Rregullave të Komunitetit, për ta përfaruar që nga fillimi legjislacionin e Kosovës me atë të vendeve të BE-së.

Në vazhdim anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, kanë shtruar pyetje të shumta lidhur me temën në shqyrtim, sidomos për pikëtakimet dhe pikëlargimet ndërmjet Planit të Ahtisarit, që është inkorporuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregullave të Komunitetit (të BE-së).
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane