Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me projektligjin për punë

, 26.06.2008




Projektligji i punës duhet të jetë themel për realizimin e politikës efikase, me të cilën do të rregullohet dhe do të funksionalizohet lëmi i punës, detyrave të punës, si dhe të gjitha çështjet tjera që kanë të bëjnë me këtë lëmë. Me rastin e hartimit të tekstit të këtij Projektligji është marrë për bazë përvoja ndërkombëtare dhe, para se gjithash, përvojat evropiane si dhe ligjet nga ky lëmë, natyrisht, duke marrë parasysh edhe realitetin në Kosovë. Me këto konstatime ka filluar shqyrtimi i sotëm publik lidhur me Projektligjin e punës, të cilin e ka organizuar Grupi jo formal i grave deputete të Kuvendit të Kosovës, të cilin e ka kryesuar zonja Flora Brovina, kryetare e këtij Grupi të grave. Në shqyrtimin e përmendur publik, krahas anëtarëve të Grupit joformal të grave deputete te Kuvendit të Kosovës, ishin prezent edhe përfaqësuesit e UNIFEM-it, UNICEF-it, Shoqatës së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, KMLDNJ-së, si dhe përfaqësuesit e OJQ-ve të shumta, të cilat merren me aktivitetet e grave, si dhe asociacione të tjera.

Pjesëmarrësit në këtë debat e kanë mbështetur këtë Projektligj, duke shtruar edhe vërejtje të shumta, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e tekstit të këtij Projektligji në tërësi. Në këtë kuptim , ata u përqendruan, posaçërisht, në çështjet financiare lidhur me implementimin e këtij ligji në praktikë. Në vazhdim u theksua se duhet kushtuar kujdes të veçantë, lidhur me atë që ka të bëjë me pushimin e lehonisë (6, 9 ose 12. muaj pushim me pagesë për lehonat), definimi i të drejtave për pushimet me pagesë për raste speciale, të drejtat për organizimin sindikal, si dhe të drejtat për apelim, definimi i të drejtës si për punëdhënësit, po ashtu edhe për punëtorët, si dhe roli dhe kompetencat e komisionit disiplinor.
Dëgjim publik lidhur me  projektligjin për punë