Lajmet e fundit

Udhëheqësit e Komisionit për Punë të Jashtme u takuan me delegacionin parlamentar nga Franca

, 26.06.2008




Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i komisionit, Xhavit Haliti, ka pasur sot një takim me delegacionin e Komisionit të Mbrojtjes në Asamblenë Kombëtare të Francës, i kryesuar nga Jean-Louis Bernard, me të cilin ka biseduar për vështrimin e Komisionit lidhur me zhvillimet në Kosovë, sidomos për sa i përket pranisë ndërkombëtare dhe ndeshjes së mundshme të kompetencave, nga njëra anë ndërmjet EULEX-it dhe UNMIK-ut dhe ndërmjet Administratës Ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, nga ana tjetër.

Faktorët ndërkombëtarë, sidomos Bashkimi Evropian duhet të kenë qartësi më të madhe për sa i përket pranisë së dyfishtë ndërkombëtare (EULEX-UNMIK) në Kosovë, sepse ndryshe do të kemi ndeshje kompetencash, u ka thënë Sabri Hamiti parlamentarëve francezë nga Komisioni i Mbrojtjes. Ne kemi miratuar një Kushtetutë, e cila është derivim i Planit të Ahtisarit, e cila parasheh praninë e EULEX-it në Kosovë, por jo edhe të UNMIK-ut, ka thënë Hamiti, i cili ka shprehur shqetësimin për konfliktin e kompetencave ekzekutive në trekëndëshin EULEX-Qeveri-UNMIK. Pajtimin eventual të Bashkimit Evropian për të mbajtur EULEX-in nën ombrellën e UNMIK-ut, Hamiti e ka quajtur kompromis të panatyrshëm.

Duke e vlerësuar rolin që do të luajë Franca si kryesuese e BE-së për mbarëvajtjen e proceseve në Kosovë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka kërkuar qartësim të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Ndërkaq, sa i përket rolit të KFOR-it në Kosovë, Hamiti ka theksuar se ai duhet të ruajë kufijtë e jashtëm të Kosovës, ndërkaq hapësira brenda territorit tonë është çështje e integrimeve, ka sqaruar ai.
Udhëheqësit e Komisionit për Punë të Jashtme u takuan me delegacionin parlamentar nga Franca