Lajmet e fundit

Kryeparlamntari Krasniqi priti një delegacion parlamentar nga Franca

, 26.06.2008




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga ekipi i këshilltarëve të tij dhe sekretari i Kuvendit, ka pritur sot një delegacion të Komisionit të Mbrojtjes në Asamblenë Kombëtare të Francës, i kryesuar nga Jean-Louis Bernard, përgjegjës për buxhet të Ushtrisë Tokësore, në përbërje të të cilit ishin katër deputetë francezë , si dhe znj. Delphine Borione, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Francës në Prishtinë.

Është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, për punën e Kuvendit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për praninë e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë.

Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për proceset në Kosovë, për kontributin që ka dhënë shteti francez për rindërtimin e Kosovës pas përfundimit të luftës më 1999 dhe sidomos për njohjen e shpejtë të pavarësisë së vendit tonë. Ai në vazhdim ka folur për punën e madhe që ka bërë Kuvendi për sendërtimin e shtetit të Kosovës, sidomos për miratimin e simboleve shtetërore, miratimin e Kushtetutës dhe të 41 ligjeve nga Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisarit.

Krasniqi ka sqaruar angazhimin e Kuvendit për ndërtimin e demokracisë në vend, sidomos për akomodimin e minoriteteve, e në radhë të parë të qytetarëve serbë të Kosovës. Me gjithë pjesëmarrjen e serbëve në mekanizmat e Kuvendit dhe në Qeveri, Krasniqi është shprehur i pakënaqur me integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës, për shkak të investimeve të regjimit të Beogradit për të penguar integrimin e serbëve, madje edhe duke i kërcënuar dhe shantazhuar ata që tregojnë gatishmëri për integrim. Ndërkaq, si rast eklatant të kësaj praktike, ka përmendur tërheqjen e policëve serbë nga strukturat e Shërbimit Policor të Kosovës.

Krasniqi ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencionin e Inteligjencës, që janë mekanizma në formim e sipër dhe për rolin e Kuvendit për t’i mbikëqyrur këta mekanizma.

Kreu i legjislativit të vendit, ndërkaq, ka kërkuar qartësim të pranisë ndërkombëtare në Kosovës, sidomos për sa u përket raporteve EULEX-UNMIK.

Kryesuesi i delegacionit parlamentar francez, Jean-Louis Bernard, është shprehur i kënaqur për të arriturat e Kosovës dhe ka vlerësuar lidershipin kosovar. Ai ka shprehur vullnetin e Asamblesë Nacionale Franceze dhe të Komisionit për Mbrojtje për ta mbështetur Kosovën dhe thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe dy parlamenteve respektove. Ndërkaq në pyetjen e tij se si e ëndërron Kosovën katër vite pas pavarësisë, Krasniqi është përgjigjur se e mendon Kosovën si një vend ku sundon rendi dhe ligji, vend i sigurt për të gjithë qytetarët e saj, i anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore dhe në OKB, si dhe i integruar në strukturat e BE-së dhe të NATO-s.

Lidhur me marrëdhëniet me fqinjët, Krasniqi pohoi se me Malin e Zi dhe me Maqedoninë kemi raporte korrekte të bashkëpunimit dhe se do të dëshironim që raporte të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të kishim edhe me Serbinë.
Kryeparlamntari Krasniqi  priti një delegacion parlamentar nga Franca