Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 10.09.2008




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të drejtuar nga znj. Zylfie Hundozi, kryetare e komisionit, është shqyrtuar projektplani dhe programi i punës së Komisionit gjer me dhjetor 2008, që është përgatitur në bashkëpunim me ekspertin e UNDP-së, Michele Dinelli, i cili e mbështet punën e Komisionit.

Ndër çështjet më të rëndësishme në projektplanin e punës së Komisionit është theksuar mbikëqyrja e procesit të harmonizimit dhe të afrimit të ligjeve të Kosovës me Acquis Communautaire, kooperimi dhe koordinimi me institucionet e BE-së lidhur me procesin e pranimit në BE, bashkëpunimi me institucionet e BE-së, këmbimi i përvojave me vendet anëtare dhe mbikëqyrja e punës së Qeverisë lidhur me përmbushjen e obligimeve për anëtarësim në BE.

Komisioni po në këtë mbledhje ka shqyrtuar Projektligjin për kualifikimet kombëtare (me amendamente) nga aspekti i pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së. Anëtarët e komisionit ndërkaq kanë biseduar edhe për vizitën e një delegacioni nga ky komisioni në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me Parlamentin Evropian dhe me Komisionin Evropian.
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane