Lajmet e fundit

Nga Java e Kuvendit në Gjilan

, 23.10.2008




Në ditën e tretë të Javës së Kuvendit kryeparlamentari Krasniqi bashkë me anëtarë të Kryesisë dhe deputetë të zonës, ka vizituar sot Gjilanin dhe ka bashkëbiseduar me kuvendarët e kësaj komune dhe ata të komunave përreth: Ferizajt, Kaçanikut, Vitisë dhe të Dardanës. si dhe me qytetarë dhe me komunitetet e Gjilanit.

Takimin e ka hapur dhe e ka drejtuar kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, i cili i ka përshëndetur parlamentarët e Kosovës si dhe anëtarët e kuvendeve komunale, ndërkaq, një pjesë të takimit e ka drejtuar Bujar Nevzati, kryesues i mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Duke i përshëndetur anëtarët e kuvendeve të këtyre komunave, kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është relativisht i ri dhe me pak traditë, porse po punohet seriozisht që të bëhemi operativë dhe funksionalë. Ne kemi pasur një fat të mirë që e kemi realizuar pavarësinë e vendit, ka thënë Krasniqi. Ligjet i kemi miratuar me procedurë të përshpejtuar, ka thënë ai, por ato mundësojnë funksionimin e institucioneve vitale të shtetit, si të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

Jemi njohur 51 vende, që realizojnë rreth 70 për qind të brutoproduktit botëror, por që e kanë edhe demokracinë më të avancuar. Kuvendi në këtë kohë ka realizuar edhe aktivitete nga diplomacia parlamentare në një varg shtetesh, kryesisht të Bashkimit Evropian.

Shumëkush në Evropë dhe rajon ka pritur se në Kosovë, pas 17 shkurtit, do të ketë pasiguri, por ka ndodhur pikërisht e kundërta. Kosova pas kësaj kohe po prodhon siguri. Kjo ka hasur në përkrahje të fuqishme për Kosovën nga shumë shtete të botës. Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt dhe më stabile, ka theksuar Krasniqi duke vlerësuar se njohja nga vendet fqinje vetëm sa e shton këtë stabilitet. Rezoluta fundit e Asamblesë të OKB-së është përpjekja e fundit për ta zvarritur njohjen dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit tonë të pavarur, ka thënë kreu i Kuvendit.

Të gjitha faktet shkojnë në favor të pavarësisë së Kosovës, prandaj nuk besojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të gjykojë kundër vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës.

Duke folur për objektivat e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të vendit, Krasniqi është përqendruar në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë vështrim ua ka përkujtuar parlamentarëve komunalë se para pak kohësh legjislativi i vendit ka miratuar një rezolutë për adoptimin Deklaratës për Objektivat e Mijëvjeçarit. Objektiv tjetër ka përmendur anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, si dhe OKB.

Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me zbatimin e ligjet të miratuara pas 15 qershorit, Krasniqi ka spikatur se decentralizimi nuk ka filluar ende, por se ai duhet të ndodh në bazë të këtyre ligjeve. Anëtarësimi në bashkimin Evropian, kërkon shumë punë, sidomos decentralizimin e pushtetit, ka thënë Krasniqi, i cili ka sqaruar se ai do të funksionojë në bazë të ligjit dhe e nuk e ka kuptimin vetëm të krijimit të komunave të reja (serbe), por për të gjitha komunat e Kosovës. Ndërkaq në pyetjen se cilat janë politikat e sigurisë në Kosovë, sidomos për sa i përket brezit kufitar, kreu i Kuvendit është përgjigjur se edhe vendet më të zhvilluar kanë probleme për të krijuar siguri. Problemi i respektimit të Kushtetutës dhe të ligjshmërisë nuk janë vetëm probleme të zonave kufitare dhe të vendbanimeve serbe, por i të gjithë Kosovës, ka thënë ai. Ligjshmëria do të vendoset gjithsesi, sepse Kosova po njihet në kufijtë e Kosovës, është shprehur optimist Krasniqi.

Në pyetjen lidhur me prezantimin e dyfishtë të disa funksionarëve (ministër dhe deputet), kryeparlamentari është përgjigjur se nga UNMIK-u kemi trashëguar një mënyrë të funksionimit të institucioneve të Kosovës. Në gjithë botën demokratike është evidente ndeshja e legjislativit me ekzekutivin, ka thënë ai.

Ne më PDK kemi pasur debat për këto çështje, ka thënë anëtari i kryesisë, Xhavit Haliti, i cili ka pohuar se ende nuk ka kërkuar kush nga ai të votojë për ndonjë interes të veçantë të Qeverisë, ka një komunikim të shkëlqyer ndërmjet të kryeparlamentarit, presidentit dhe kryeministrit, ka theksuar ai, duke shprehur qëndrimin e tij se pushtetet duhet të veprojnë plotësisht të ndara, sipas kushtetutës dhe të ligjeve. Ai ka folur edhe për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë në Kosovës, për ta konsoliduar shtetin e Kosovës dhe vendosur rendin dhe ligjin në gjithë territorin e saj.

Anëtari tjetër i Kryesisë, Ibrahim Gashi, ka theksuar se Kuvendi ka mision ligjvënës, prandaj shumë kërkesa që shtrohen këtu janë kompetencë e Qeverisë dhe të ministrive përkatëse. Bashkëpunimi i opozitës për sa i përket shtetformimit ka qenë i plotë, ka thënë ai, duke e quajtur konsolidimin e shtetit të Kosovës si sfidën më e madhe. Ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishme stabilitetin politik dhe vetëqëndrueshmërinë ekonomike të vendit, si dhe legjitimimin e statusit të Kosovës.

Në pyetjen : Deri kur do të kërkohet pëlqimi i Serbisë për shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës? Kreu i kuvendit është përgjigjur se EULEX-i ka dëshirë që të shtrihen në tërë territorin e Kosovës, kurse ne ua kemi nevojën përfaqësuesve të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, por ka theksuar gjithashtu se ende i ka mbetur pak hapësirë Rezolutës së OKB-së 1244.

Në pyetjen se çka planifikon Kuvendi i Kosovës që të përfarohet me nivelet e parlamentet e vendeve demokratike, kryeparlamentari Krasniqi është shprehur se Kuvendi i Kosovës po mëson shpejt nga përvojat e parlamenteve me tradita demokratike, kurse sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka theksuar bashkëpunimin në kuadër të Projektit për Mbështetjen e Kuvendit të Kosovës (nga ekspertë të parlamentit të Belgjikës, të Gjermanisë, të Francës dhe të Sllovenisë), si dhe nënshkrimin e memorandumeve për bashkëpunim ndërparlamentar me disa vende. Ai ka folur edhe për përbërjen e Kuvendit dhe të mekanizmave të tij.

Edhe në takimin me qytetarët e Gjilanit janë shtruar pyetje të shumta lidhur me barazinë ligjore, çështjet e fuqizimit të rinisë, për realizimin e rekomandimeve të vetë Kuvendit për pensionet dhe invalidët e punës, për pensionimin e përkohshme të pjesëtarëve të TMK-së, për gjendjen e mjerë materiale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për çështje të privatizimit dhe fatin e 20 për qindëshin për punëtorët nga ky privatizim, për keqpërdorimin e parasë publike etj, të cilat kanë marrë përgjigje nga kuvendarët e Kosovës.

Duke bashkëbiseduar me qytetarë të komuniteteve në Komunën e Gjilanit (serbë, turq dhe romë), kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar se për funksionimin e shtetit të Kosovës nevojitet bashkëpunimi ndërmjet shumicës dhe pakicës, si dhe realizimi i plotë i të drejtave të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia politike, etnike a fetare e tyre.

Krasniqi edhe një herë ka bërë thirrje që qytetarët serbë të integrohen në shoqërinë e Kosovës, kurse Beogradi të merr kahe të politikës së fqinjësisë së mirë me Kosovën.

Sërgjan Jovanoviq, nënkryetar i komunës së Gjilanit (nga radhët e komuniteteve pakicë), ka shfaqur kënaqësinë për rezultatet e arritura në komunë dhe për konfliktet e pakta ndëretnike. Ai ka përmendur disa projekte zhvillimore në disa fshatra të banuara nga serbë dhe turq.

Në takim ka folur edhe një qytetar rom, i kthyer nga Serbia, i cili ka pohuar se romët nuk kanë ndonjë presion, por se nuk kanë të siguruar punë dhe mjete financiare për familjet e tyre.

Kuvendarët e Kosovës i kanë premtuar pjesëtarët e komuniteteve se do të kujdesen për miratimin e ligjeve që garantojnë të drejtat e tyre dhe se do të kujdesen të krijojnë mundësi të barabarta për zhvillim.
Nga Java e Kuvendit në Gjilan