Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e zyrtarëve të lartë të Kongresit Amerikan

, 27.01.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur një delegacion të zyrtarëve të lartë të Kongresit Amerikan, i prirë nga John Lis, drejtor personeli i Komisionit të Kongresit për asistencë në zhvillimin e demokracisë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kongresit Amerikan.

Kryeparlamentari Krasniqi i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme dhënë Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve të shteti të ri të Kosovës, si dhe ka shprehur vullnetin që mbretëron në vend për marrëdhënie të përhershme me SHBA-të.

Krasniqi ka theksuar nevojën që ka Kosova për mbështetje të vazhdueshme dhe të gjithanshme nga SHBA-të, për ta fuqizuar demokracinë dhe funksionalizuar institucionet e shtetit, si dhe për të ngjallur ekonominë e vendit. Ai ka falënderuar, sidomos, për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it për Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet NDI-së. Në vazhdim kreu i Kuvendit ka folur për konsolidimin e shtetit të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt të vitit të shkuar, deri në njohjen e saj nga 54 shtete të botës dhe përgatitjes për t’u anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Duke u ndalur në punën e Kuvendit të Kosovës në vitin e parë të kësaj legjislature, Krasniqi ka spikatur miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës, të Kushtetutës dhe të 91 ligjeve, 52 nga të cilat burojnë nga Plani Gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari, e që kryesisht kanë të bëjnë me akomodimin e pjesëtarëve të komuniteteve, me ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe decentralizimin. Ai, më këtë rast, ka theksuar se të gjitha komunitetet pakicë janë integruar mirë në shoqërinë e Kosovës, pos atij serb që vazhdon të kërcënohet dhe të shantazhohet nga regjimi i Beogradit për të mos e pranuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Krasniqi ka përmendur edhe marrëveshjet për bashkëpunim të Kuvendit të Kosovës me Parlamentin e Belgjikës, atë të Sllovenisë dhe me Parlamentin e Madh të Turqisë, si dhe raportet e mira me një varg parlamentesh të tjera.

Drejtori i personelit në Komisionin e Kongresit për asistencë në zhvillimin e demokracisë, John Lis, ka shprehur kënaqësinë për zhvillimet pozitive në Kosovën e pavarur, e cila po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm të Kongresit Amerikan me Kuvendin e Kosovës, i cili realizohet nëpërmjet USAID-it dhe komplementohet mbështetja e drejtpërdrejtë e NDI-së, në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të bëhet institucion shtetëror efikas dhe i pavarur. Lis ka pohuar se delegacioni që udhëheq po e shikon mundësinë për t’i sjellë në Kosovë disa nga kongresistët amerikanë, si dhe për të organizuar vizita të parlamentarëve kosovarë dhe të stafit të administratës së Kuvendit në Uashington, për t’u njohur me funksionimin e legjislativit amerikan.

Në interesimet e zyrtarëve të lartë të Kongresit se si e sheh Kuvendi bashkëpunimin me Kongresin Amerikan, kryeparlamentari Krasniqi ka spikatur mbështetjen e komisioneve parlamentare me ekspertë të lëmenjve përkatës, si dhe të stafit, sipas praktikave më të avancuara, sidomos në mbështetjen profesionale për hartimin e ligjeve dhe harmonizimin ligjor, sigurimin e një softueri për menaxhimin elektronik të dokumentacionit, si dhe këmbimi i vizitave të ndërsjella.

Delegacioni nga Kongresi Amerikan do të ketë edhe takime edhe me drejtues të segmenteve të veçanta të Kuvendit të Kosovës, për të parë nevojat reale për mbështetje të mëtejme të legjislativit të vendit.
Kryeparlamentari Krasniqi priti delegacionin e zyrtarëve të lartë të  Kongresit Amerikan