Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti ambasadorin suedez, Lars Freden

, 03.02.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte një takim me ambasadorin e Suedisë, Lars Freden, i cili mbulon edhe Kosovën. Ambasadori Freden ishte i shoqëruar edhe nga shefja e Zyrës së Suedisë në Prishtinë, z.Ingrid Johansson. Temë thelbësore e këtij takimi ishin proceset aktuale në Kosovë, si dhe çështje të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. Ambasadori i Suedisë, Lars Freden, shprehu mbështetjen e fuqishme të Suedisë që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Ai tha së marrëdhëniet ndërmjet Suedisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme. Një faktor që reflektohet pozitivisht në këto marrëdhënie janë edhe emigrantwt shqiptarë që jetojnë e punojnë në Suedi, të cilët janë integruar tërësisht në jetën shoqërore ekonomike të këtij shteti. Duke folur lidhur me proceset integruese,z.Freden theksoi se Suedia mbështet integrimin e shteteve të Rajonit në Bashkimin Evropian.

Kryeparlamentari Krasniqi me këtë rast falënderoi ambasadorin suedez për angazhimet e tij dhe të shtetit suedez për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë që këto marrëdhënie të forcohen edhe më.”Kemi vullnet që marrëdhëniet Kosovë-Suedi të shtrihen edhe në segmentin e marrëdhënie të dyanshme parlamentare. Në këtë aspekt interesimi ynë është i madh, sepse kemi nevojë për demokracinë suedeze”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.