Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për te drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione

, 03.02.2009




Komisionit për te drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, nën kryesinë e kryetarit të Komisionit, z. Ismet Beqiri, ka mbajtur sot mbledhjen, në të cilin, pikë kryesore e rendit të ditës, ishte miratimi i Rekomandimit për Ministrinë për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Teknologji lidhur me peticionin e të diplomuarve në universitetet private si dhe grupit të oficerëve dhe rreshterëve të Divizionit për sigurim të policisë së Kosovës, e cila ishte e nënshkruar nga ana e grupit të oficerëve dhe rreshterëve të Divizionit policor për siguri. Në këtë mbledhje anëtarët e Komisionit, duke i mbështetur kërkesat si të diplomuarve në universitetet private, po ashtu, edhe të grupit të oficerëve dhe rreshterëve të Divizionit të shërbimit policor për siguri, ka nxjerrë edhe rekomandimet lidhur me këto kërkesa.

Në mbledhjen e njëjtë, është nxjerrë edhe Vendimi që në mbledhjen e ardhshme të Komisionit, të shqyrtohet edhe Raporti i punës së komisionit për vitin 2008 si dhe të bëhet prezantimi i Projektplanit të punës së Komisionit për vitin 2009.

Tekstet e rekomandimeve:

Për Ministrinë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Z. Enver Hoxhaj

Në mbështetje të nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të rregullës 44 pikat c) dhe d) të Rregullores së Punës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Komisioni për te Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur më 15. 1. 2009, e shqyrtoi peticionin e Asociacionit të të Diplomuarve në Universitetet Private dhe pas një debati e nxori këtë

                          R e k o m a n d i m

1. Komisioni i mbështet kërkesat studentëve të diplomuar në Universitetet Private;
2. Kërkohet nga Ministria e Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë që vendimin me shkrim për njohjen e diplomave të të diplomuarve në universiteteve private, t’ua përcjell: Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Asociacionit të të diplomuarve në Universitetet Private dhe Universitetit Publik të Prishtinës;
3. Komisioni i rekomandon Ministrisë që kandidatëve të diplomuar në universitetet private t’u lejohet regjistrimi në studime postdiplomike në Universitetin Publike.


Për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Zenun Pajaziti

Në mbështetje të nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rregullës 44, pika 9, të Rregullores së punës të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur më 20. 1. 2009, u takua me ministrin e Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti dhe me përfaqësuesit e peticionit të Divizionit të Sigurimit Policor të Kosovës. Pas debatit vendosi që Ministrisë së Punëve të Brendshme t'ia adresojë ketë

                           R e k o m a n d i m

1. Kërkohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës zbatimi i vendimit të Qeverisë se Kosovës nr. nr. 04/30, të datës 19. 08. 2008, përkatësisht vendimit të Kryeministrit të Kosovës,me të cilin ndryshohet statusi i oficerëve të sigurimit të Policisë së Kosovës në zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës;
2. Komisioni i mbështet kërkesat e nënshkrueseve të peticionit dhe i rekomandon Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullativa normative të jetë në përputhje me dispozitat e Ligjit për policinë;
3. Komisioni i sugjeron Ministrisë së Punëve të Brendshme që këtyre pjesëtarëve të Policisë t’u njihen: përvoja e punës, gradat, pagat dhe trajnimet në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Nga mbledhja e Komisionit për te drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione