Lajmet e fundit

Nga takimi i Kryesisë me Komisionin për Rregulloren e Punës së Kuvendit

, 05.02.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme me anëtarët e Komisionit parlamentar për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar Projekt-Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, Ahmet Isufi, ka prezantuar para anëtarëve të Kryesisë punën e deritashme të Komisionit për amendamentimin e Projekt-Rregullores së Kuvendit, të cilën e ka vlerësuar të suksesshme.

“Projekt-Rregullorja është e mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por kemi konsultuar edhe modele të ndryshme rregulloresh të parlamenteve nacionale si: atë të Kuvendit të Shqipërisë, të Parlamentit të Sllovenisë, por edhe rregulloret e Bundestasgut Gjerman dhe të Asamblesë Nacionale të Francës, për ta bërë sa më funksionale punën e Kuvendit të Kosovës dhe për t’i dhënë frymë sa më demokratike”, ka theksuar Isufi. Me këtë rast ai ka përmendur se janë marrë në shqyrtim të gjitha vërejtjet e anëtarëve të Komisionit, të NDI-së, ICO-së, OSBE-së dhe të anëtarit të Kryesisë, Xhavit Haliti, një pjesë e të cilave do të inkorporohen në tekstin e Projekt-Rregullores së punës së Kuvendit.

Kryeparlamentari Krasniqi, por edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë kanë vlerësuar se është vonuar shumë miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit, si dhe kanë kërkuar që teksti i plotësuar t’i dorëzohet Kryesisë deri më 15 mars, në mënyrë që deri në përfundim të atij muaji edhe të miratohet në seancë plenare.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit kanë theksuar se në funksion të kryerjes me kohë dhe me cilësi të këtij objektivi Komisioni do të organizojë një punëtori për Rregulloren, si dhe do ta bëjë një vizitë studimore jashtë vendit.
Nga takimi i Kryesisë  me Komisionin për Rregulloren e Punës së Kuvendit