Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

, 10.02.2009




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, i kryesuar nga kryetari i Komisionit, z. Sadik Idriz, sot mbajti mbledhje ku pikë kryesore e rendit të ditës ishte takimi i përbashkët me përfaqësuesin e Agjencisë për produktet medicinale të Kosovës, si dhe me përfaqësuesin e Fabrikës së barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe shefi i Agjencisë për produktet medicinale të Kosovës, z. Zijadin Gashi, si dhe drejtori e pronari i Fabrikës së barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni, z. Azem Lajçi.

Në mbledhje të Komisionit, duke biseduar për fabrikën e barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni, z. Lajçi theksoi se këtë fabrikë e ka blerë para një viti e gjysmë dhe momentalisht në të janë të punësuar gjithsej 50 punëtorë. Kjo fabrikë e barërave, në shtator të vitit të kaluar, ka bërë kërkesë për licencim të sërishëm, por sot e kësaj dite nga Ministria e Shëndetësisë si dhe nga Agjencioni për produktet medicinale të Kosovës, nuk ka marrë kurrfarë përgjigje, përveç se Inspeksioni i shëndetësisë pas inspektimit të kësaj fabrike mori aktvendim për mosvazhdimin e licencës, për shkak të mosposedimit të dokumentacionit për kualitetin e produkteve medicinale e që është e paraparë edhe me ligj. Z. Lajçi theksoi se për dokumentacionin në fjalë në lidhje me kualitetin e produkteve medicinale, në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ekziston Udhëzimi administrativ dhe se për këtë fabrika nuk është fajtore. Në fund, z. Lajçi theksoi se si pronar i fabrikës së barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni, i është ankuar Bordit për ankesa i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe ka kërkuar që, si prodhues i barërave nga Kosova, edhe një herë t’i ndihmohet dhe t’i mundësohet që për dy vite ta përgatisë fabrikën për posedimin e dokumentacionit për kualitetin produkteve medicinale.

Duke e marrë fjalën, shefi i Agjencionit për produktet medicinale të Kosovës z. Gashi, theksoi se është e vërtetë që në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ekziston Urdhëresa administrative për dokumentacionin në lidhje me kualitetin e produkteve medicinale, por se ai ka vepruar sipas ligjit në fuqi për këtë çështje dhe se për këtë ka poseduar edhe raportin e Inspeksionit të shëndetësisë për inspektimin e fabrikës së lartpërmendur të barërave, fillimisht për shkak të mosposedimit të dokumentacionit për kualitetin e produkteve medicinale, i paraparë edhe me ligjin në fuqi.

Anëtarët e Komisionit, pas dëgjimit të drejtorit të Fabrikës së Barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni, z. Azem Lajçi, dhe shefit të Agjencisë për produktet medicinale të Kosovës, z. Zijadin Gashi, erdhën deri te konstatimi që, në afatin sa më të shkurtër, së bashku me përfaqësuesit e Agjencisë për produktet medicinale dhe ata të Inspektoratit të shëndetësisë, të vizitojnë fabrikën e barërave “New-Co Farmakos” nga Prizreni, dhe pas realizimit të kësaj vizite, Komisioni të nxjerrë një rekomandim përkitazi me këtë rast.
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale