Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 12.02.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë u janë përgjigjur kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe ministrat e Kabinetit qeveritar: Ahmet Shala, Nekibe Kelmendi, Arsim Bajrami dhe Valton Beqiri.

Në pikën e dytë të rëndit të ditës lidhur me zgjedhjen Avokatit të Popullit, mbledhjen e ka kryesuar anëtari i Kryesisë Xhavit Haliti. Procedurën rreth propozimit për avokat të Popullit dhe rekomandimet i ka paraqitur, ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, pas së cilës deputetët kanë zgjedhur komisioni zgjedhor prej tetë anëtarësh. Megjithëse ka pasur tre raunde votimi, asnjëri nga tre kandidatët (Hilmi Jashari, Diana Toska dhe Veton Vula) nuk e ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave për këtë post të rëndësishëm të autoritetit moral. Kandidati i parë u eliminua në raundin e parë të votimit, kandidatja u eliminua në raundin e dytë, kurse kandidati i mbetur, Vula, edhe pse kandidat i vetëm, nuk i fitoi votat e nevojshme as në raundin e tretë (për të votuan vetëm 37 deputetë, kurse nevojitej shumica e thjeshtë prej 61 votash). Për këtë arsye kuvendi duhet të rishpall konkursin për Avokatin e popullit është thënë në seancë.

Në vazhdim deputetët kanë rishqyrtuar Ligjin për Avokatinë, të kthyer nga presidenti i Kosovës, si dhe Ligjin për Lirinë e asocimit në organizatat joqeveritare nr. 03/L- 134.

Deputetët, ndërkaq, kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe kanë miratuar përfundimisht: Projektligjin për ndryshimin e dhe plotësimin e Ligjit për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, Projektligjin për ushqimin, si dhe Projektligjin për vlerësimin strategjik mjedisor.

Seanca i vazhdon punimet nesër (të premten), më 13 shkurt, në orën 10, për të debatuar lidhur me vendimin e Presidentit të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së).
Nga punimet e seancës plenare