Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit Krasniqi me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës

, 17.02.2009




I nderuar president, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
I nderuar kryesues i ICO, zoti Pitër Feit,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë,
Të nderuar kolegë deputetë

Para një viti në këtë sallë, ne përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës, me përgjegjësinë kombëtare e historike e shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Sot mbushet një vit nga lindja e shtetit më të ri të Evropës, shtetit të popullit më të vjetër të saj.

Në rrethanat historike dhe politike të një viti më parë pavarësia e Kosovës u shpall,

Sepse Kosova ishte aneksuar padrejtësisht dhe kundër vullnetit të saj, nga Serbia e ish Jugosllavia;

Sepse populli i Kosovës ka vuajtur shumë dhe ka luftuar gjatë për lirinë e tij;

Sepse breza të tërë veprimtarësh të çështjes së lirisë ishin sakrifikuar për këtë ditë;

Sepse ishin pjekur kushtet dhe ishin përmbushur standardet demokratike për këtë akt historik;

Sepse Kosova historikisht kishte subjektivitetin e mëvetësishëm politik e kushtetues, territorial e ekonomik, administrativ e juridik në Jugosllavi dhe kishte entitetin nëntëvjeçar të pasluftës nën administrimin civil ndërkombëtar, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB;

Sepse Jugosllavia ishte shembur përfundimisht, kurse regjimi i Milosheviqit, pas suprimimit të autonomisë, kishte ushtruar gjenocid në Kosovë;

Sepse Kosova e kishte shprehur disa herë vullnetin e shumicës absolute të qytetarëve për pavarësi dhe sovranitet që nga luftërat çlirimtare të viteve 1912-1913, 1919-1924, në Konferencën e Bunjajt më 1944, në Demonstratat e viteve 1968, 1981, 1989, në Referendumin e vitit 1991 dhe me Luftën çlirimtare të organizuar dhe udhëhequr nga UÇK dhe Shtabi i saj i Përgjithshëm;

Sepse pavarësia mbështetej në përbërjen etnike, në aktet politike, historike e kushtetuese-juridike të brendshme, mbështetej në vendimet, marrëveshjet e rezolutat ndërkombëtare për Kosovën;

Sepse shpallja e pavarësisë ishte në përputhje të plotë me Kartën e OKB, të Drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, OKB, Grupin e Kontaktit, SHBA e Bashkimin Evropian, por edhe në harmoni me bisedimet me Serbinë në çështjet ku janë arritur pajtueshmëri të dyanshme;

Sepse kishin përfunduar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga OKB e GK për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke rezultuar me dokumentin në pako, të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të propozuar nga i dërguari i SP të OKB, zoti Marti Ahtisaari;

Sepse paraprakisht Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rezolutën për rikonfirmimin vullnetit politik për pavarësi;

Sepse paqja duhej të vendosej përfundimisht në rajonin tonë, duke mbyllur një kapitull të errët të historisë dhe duke pamundësuar kthimin e së kaluarës në Kosovë;

Sepse më 17 shkurt kishte ardhur ora yll e vendosjes së drejtësisë në Kosovë.

Zonja dhe zotërinj,

Sot është dita e fillimit të numërimit të përvjetorëve të pavarësisë së Kosovës. Data e 17 Shkurtit shënon kurorëzimin e përpjekjeve shekullore për liri të popullit të Kosovës. Sot është dita kur kujtojmë me pietet gjithë ata burra e gra të Kosovës që nëpër breza u bënë kurbanë në themelet e pavarësisë së saj. Ky popull që nuk u përkul asnjëherë gjatë historisë së tij të dhembshme, përkulet sot para të rënëve të tij. Populli i Kosovës ka nxjerrë nga gjiri i vet shumë heronj, që nuk i përkasin më vetëm atij, por gjithë njerëzimit, sepse luftuan dhe ranë për vlera universale të lirisë, demokracisë e humanizmit. Është i madh populli që nxjerr njerëz të mëdhenj si Adem Jashari. Kosova përbëhet nga ata që e bënë, duke rënë dëshmorë dhe nga ne të tjerët që duhet ta çojmë në vend amanetin e tyre. Siç thotë një fjalë amerikane, i përkasim atdheut ashtu siç i përkasim nënës.

Në këtë ditë dhe në përvjetorët e pambarim të pavarësisë, falënderimi i parë u shkon dëshmorëve, u shkon veprimtarëve të të gjithë brezave të Lëvizjes Kombëtare, i shkon popullit që rezistoi kundër robërisë.

Me këtë rast solemn u shprehim mirënjohjen e thellë dhe falënderimin e madh botës demokratike, SHBA, Evropës, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd globit që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.

Zonja dhe zotërinj,

Në këtë përvjetor të parë të shtetit tonë, ballëhapur mund të paraqesim të arriturat e mëdha të fillimepokës së Pavarësisë, si miratimi i simboleve shtetërore dhe i Kushtetutës, miratimi i ligjeve të shtetësisë së Kosovës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese të saj, njohja e Republikës nga 54 shtete, anëtare të OKB, promovimi i shtetit demokratik dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror. Përfaqësimi i të gjitha komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës, miratimi i të gjitha ligjeve nga provizionet e Pakos së presidentit Ahtisaari dhe proceset pajtuese e integruese brenda shoqërisë sonë, e kanë bërë Kosovën vend të standardeve të larta të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut në përgjithësi.

Konsolidimi i tri pushteteve në Kosovë, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit të pavarur, ngritja e infrastrukturës ligjore dhe e rrjetit diplomatik, instalimi i qeverisjes së mirë e efektive, sistemi i mirëqenies sociale dhe përmirësimi i dukshëm i infrastrukturës rrugore e asaj të arsimit, ngritja e cilësisë së mësimdhënies e arritje të tjera, janë rezultate evidente dhe të pakontestueshme. Për këtë vit ne kemi miratuar një buxhet për 15 për qind më të lartë se ai vitit të kaluar. Ky buxhet do ta nxisë zhvillimin ekonomik dhe do ta përmirësojë mirëqenien sociale.

Zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie miqësore me shumë vende të botës. Ne jemi krenarë për miqësinë që kemi me SHBA, me Bashkimin Evropian, me Turqinë, Japoninë, Kanadanë e vende të tjera demokratike e të fuqishme. Të një rëndësie të veçantë për ne janë marrëdhëniet më fqinjët tanë, me të cilët dëshirojmë t'i thellojmë më tej në të gjitha fushat, si partnerë strategjikë, në dobi të interesave të ndërsjella, të miqësisë midis popujve dhe të bashkëpunimit e të paqes në rajon. Ne jemi në rrugën e përbashkët të procesit të integrimit evropian. Nga një vatër potenciale e krizave të rrezikshme, Kosova e pavarur u kthye në një faktor paqeje e stabiliteti rajonal.

Nga të gjithë fqinjët tanë, vetëm Republika e Serbisë nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe nuk ka denjuar të ketë marrëdhënie me të. Ne, megjithatë vazhdojmë ta mbajmë dorën e zgjatur dhe e ftojmë Republikën e Serbisë që ta njohë realitetin e ri të Kosovës së pavarur dhe të dy vendet të fillojnë menjëherë procesin e pajtimit historik dhe epokën e bashkëpunimit e të marrëdhënieve të mira, në dobi të të dy vendeve dhe popujve, në dobi të paqes e stabilitetit rajonal si dhe të integrimeve evropiane të Ballkanit Perëndimor. Komuniteti serb në Kosovë dhe komunitetit shqiptar në Serbi duhet të jenë një arsye më shumë për marrëdhënie dhe bashkëpunim midis dy vendeve tona. Zgjidhja e çështjeve të mbetura midis dy vendeve duhet të vazhdojë me vullnetin e përbashkët dhe në frymën e miqësisë e me bisedime. Populli ynë thotë „Duaje fqinjin, por gardhin mos e prish”. Me Serbinë mund dhe duhet të bisedojmë, por jo duke u përzier në punët e brendshme të njëri-tjetrit, sepse jemi dy shtete sovrane. Kosova ka Kushtetutën e saj dhe nuk guxon ta shkelë për hatrin e askujt.

Pavarësia e Kosovës është realitet i ligjshëm dhe i pakthyeshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Bilanci i të arriturave në ditëlindjen e Republikës është i kënaqshëm, por siç thotë një fjalë, vetëm i marri kënaqet me vetveten, e jeta jonë në disa fusha lë për të dëshiruar shumë, prandaj kemi para vetës rrugë të gjatë dhe të vështirë drejt mirëqenies sociale, drejt zhvillimit ekonomik e demokratik, forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër varfërisë, drejt shtrirjes së pushtetit shtetëror e administrativ në gjithë territorin e vendit, drejt integrimit të komunitetit serb në shoqërinë e Kosovës, drejt luftës kundër krimit e korrupsionit dhe drejt prioritetit tonë strategjik të integrimeve euroatlantike.

Kosova ka potenciale të shumta zhvillimi e përparimi, por nuk i mungon as mbështetja e solidariteti ndërkombëtar. Prezenca ndërkombëtare, civile dhe ajo e sigurisë, angazhimi i miqve tanë të shumtë për forcimin e vendit tonë dhe Konferenca e donatorëve e vitit të kaluar, e konfirmojnë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj. Vendosja e misionit EULEX në Kosovë ka përparuar mirë dhe besojmë që shumë shpejt do të kompletohet potenciali i tij, për të ndihmuar gjithë qytetarët dhe institucionet tona.

Presim që Kosova shpejt të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, por edhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB.

Kosova është vend stabil dhe i sigurt. Forcat e KFOR-it, të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX kujdesen për paqen, sigurinë dhe rendin në Kosovë. Është në proces edhe formimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila po ngrihet sipas standardeve të NATO-s.

Pavarësia ka krijuar dhe po krijon kushte të favorshme për investime të kapitalit të huaj në Kosovë, siç janë siguria e stabiliteti politik, infrastruktura ligjore e fizike, telekomunikimet dhe lehtësitë doganore e tatimore, sigurimi i një mjedis të qëndrueshëm biznesi, të cilat bashkë me pasuritë e mëdha dhe potencialin rinor e fuqinë e lirë punëtore, do të tërheqin investime të huaja dhe do të mundësojnë zhvillim të shpejtë.

E ardhmja e Kosovës është e sigurt dhe përvjetorët e Pavarësisë do ta gjejnë gjithnjë më të fortë e më të përparuar.

Faleminderit.