Lajmet e fundit

Nga seanca solemne në njëvjetorin e pavarësisë

, 17.02.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në njëvjetorin e pavarësisë së vendit, bartësit e funksioneve kryesore në institucioneve qendrore të Kosovës kanë folur para deputetëve për rëndësinë e kësaj dite të shënuar për popullin e Kosovës dhe për sukseset e arritura gjatë këtij viti pas shpalljes së pavarësisë.

Seancën e ka hapur dhe e ka drejtuar  kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili e ka mbajtur edhe një fjalë rasti në këtë për vjetor.

“Para një viti në këtë sallë, ne përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës, me përgjegjësinë kombëtare e historike e shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Sot mbushet një vit nga lindja e shtetit më të ri të Evropës, shtetit të popullit më të vjetër të saj.

Në rrethanat historike dhe politike të një viti më parë pavarësia e Kosovës u shpall, sepse Kosova ishte aneksuar padrejtësisht dhe kundër vullnetit të saj, nga Serbia e ish Jugosllavia; sepse populli i Kosovës ka vuajtur shumë dhe ka luftuar gjatë për lirinë e tij; sepse breza të tërë veprimtarësh të çështjes së lirisë ishin sakrifikuar për këtë ditë;sepse ishin pjekur kushtet dhe ishin përmbushur standardet demokratike për këtë akt historik”, ka theksuar Krasniqi.

Data e 17 Shkurtit shënon kurorëzimin e përpjekjeve shekullore për liri të popullit të Kosovës.

Në këtë ditë dhe në përvjetorët e pambarim të pavarësisë, falënderimi i parë u shkon dëshmorëve, u shkon veprimtarëve të të gjithë brezave të Lëvizjes Kombëtare, i shkon popullit që rezistoi kundër robërisë.

Me këtë rast solemn u shprehim mirënjohjen e thellë dhe falënderimin e madh botës demokratike, SHBA, Evropës, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd globit që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese, ka thënë Krasnqi, i cili në vazhdim ka folur për punën e Kuvendit të Kosovës në këtë vit të parë të pavarësisë, si dhe për marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Duk e marrë fjalën para deputetëve, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë “17 shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme. Aty gjenden edhe mijëra viktima që nuk janë të gjetur që nga qershori i vitit 1999. Ne sot jemi krenarë për atë që bënë paraardhësit tanë dhe jemi me shumë fat se na takoi të jetojmë dhe të punojmë në Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.”

Duke iu drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, Sejdiu ka thënë: Një vit pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran, Kosova bëri hapa të kujdesshëm, por vitalë për ngritjen e institucioneve demokratike dhe dëshmimin e plotë se shteti ynë e ndihmon fuqishëm paqen dhe stabilitetin në rajon. Duhet pranuar se Kosova gjatë një viti kaloi nëpër një periudhë të ndjeshme politike dhe shtetbërjeje.

Katër muaj pas Deklaratës së Pavarësisë, ne miratuam Kushtetutën, aktin më të lartë juridik që i vuri themelet e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës. Kushtetuta përfshin rekomandimet e Presidentit Marti Ahtisari, që dolën mbas një procesi të gjatë dhe të vështirë negociator ndërkombëtar. Mbështetur në Kushtetutën që valorizon vlera dhe parime moderne civilizuese dhe juridike, janë miratuar dhe po miratohen ligjet për të vënë në funksionim të plotë dhe legal të gjitha institucionet që e bëjnë një shtet efikas dhe në shërbim të qytetarit të tij. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shenja e parë dhe e fundit e vendimeve për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

Ne sot kemi simbolet e shtetit: flamurin dhe himnin. Ndërkohë, janë krijuar institucione vitale shtetërore si Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencisë e Kosovës dhe është në proces edhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese. Puna e këtyre institucioneve garanton stabilitetin dhe sigurinë e duhur për qytetarët dhe të ardhmen e shtetit tone, ka theksuar presidenti Sejdiu, i cili e ka pëfinduar fjalimin urimet: Zoti e bekoftë Republikën e Kosovën! Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u është drejtuar deputetëve me fjalët : “Sot është ditë për të festuar së bashku, me ngrohtësi, gëzim dhe solidaritet. Pikërisht, dhjetë vite më parë ne udhëheqësit e Kosovës, në Konferencën ndërkombëtare në Rambuje, në kohën e mbijetesës bashkë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtar bisedonim dhe vendosnim për të Liri të Kosovës. Kosova Fitoi. Kaluam nëntë vite tranzicion plotë sfida, por të suksesshëm.

Sot, është përvjetori i parë i shtetit tonë krenar, të pavarur, sovran dhe të lirë.

Sot të gjithë kemi ditëlindje.

Sot, shënojmë festën më të madhe dhe të rëndësishme të popullit të Kosovës.

Festën e shtetit të pavarur, demokratik me shoqëri shumetnike.

Viti që lamë pas ishte vit i të arriturave dhe i krenarisë, viti i suksesit historik të Kosovës.

Për një vit kompletuam ndërtimin dhe funksionalizimin e të gjitha Institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.”

Thaçi në vazhdim ka renditur sukseset e qeverisë të cilën e udhëheq.

”Kosova është atdhe i të gjithë qytetareve të saj, me mundësi të barabarta për të gjithë, me të drejta të afirmuara për minoritarët.

Kosova u njoh zyrtarisht nga 54 shtete të lira të cilat përfaqësojnë rreth 70% të GDP-së në botë. Sot, Kosova ka diplomacinë aktive anë e kënd botës. Gjatë muajve të ardhshëm presim të njohje të reja. Kosova do të njihet nga e gjithë bota. Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota gjatë këtij viti në Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”, është shprehur optimist Thaçi.

”Nesër, të gjithë i kthehemi punës, për Pavarësinë, për veten tonë, për familjet tona, për Kosovën. Urime përvjetori i pavarësisë Kosovë.

Le të festojmë së bashku. Ju faleminderit dhe gëzuar Dita e Pavarësisë”, ka thënë në fjalimit të tij kryeministri Thaçi.

Një fjalë rasti para deputetëve e ka mbajtur edhe përfaqësuesi i posaçëm të BE-së në Kosovë, Pieter Faith, i cili njëherësh është dhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare. Ai i ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës, institucionet e tjera të vendit dhe popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe ka folur për angazhimet e Bashkimit Evropian dhe të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin e proceseve pozitive në Kosovë, për paqe progres dhe stabilitet të Kosovës dhe të gjithë vendeve të rajonit.
Nga seanca solemne në njëvjetorin e pavarësisë