Lajmet e fundit

Krypalamentari Krasniqi priti kryetarin e Odës Ekonomike dhe një grup biznesmenësh

, 24.02.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, dhe një grup biznesmenësh kosovarë, të cilët e shoqëronin.

Kryeparlamentari Krasniqi u ka uruar mysafirëve njëvjetorin e pavarësisë dhe u ka dëshiruar suksese në aktivitetet e tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, është shprehur i interesuar që institucionet e Kosovës të krijojnë hapësira për zhvillimin e bizneseve dhe të krijojnë klimë të favorshme për investime. Në këtë vështrim ai ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, sidomos sa u përket projektligjeve që e rregullojnë sferën ekonomike të vendit. “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me ministritë dhe me komisionet përkatëse parlamentare, si dhe të kontribuojmë me vërejtjet tona për këto ligje, para se të miratohen në Kuvend”, ka theksuar Beqaj. Ai ka vënë në spikamë edhe vështirësitë e prodhuesve të Kosovës për të eksportuar, për shkak të barrierave që vihen nga Serbia.

Kryeparlamentari Krasniqi i ka mirëkuptuar kërkesat për krijimin e një klime më të përshtatshme për biznesin, duke miratuar ligje që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe në këtë vështrim ka vënë në pah se Kuvendi i ka miratuar kërkesat e Qeverisë lidhur me politikat fiskale, dhe se legjislativi i vendit do t’i mirëpresë edhe vërejtjet e këtij sektori për projektligjet në procedurë parlamentare. Ai është shprehur në favor t; asaj që ligjet që rregullojnë marrëdhëniet ekonomike të bëhen në relacionin Qeveri-Kuvend-Odë Ekonomike.

Përfaqësuesit e biznesit kanë vënë në pah vështirësitë me të cilat ballafaqohen, sidomos sa i përket prodhimit dhe eksportit. Duke vënë në spikamë problemet e eksportit në vendet e CEFTA-s, për shkak të bllokadave të vëna nga Serbia, ata janë shprehur të gatshëm që ta mbështesin Qeverinë e Kosovës nëse ndërmerr masa reciprociteti ndaj bllokuesve të mallrave të Kosovës. Ata gjithashtu kanë ngritur nevojën edhe për masa antidamping për mallrat e huaj, të cilët e dëmtojnë ekonominë e vendit.
Krypalamentari Krasniqi priti kryetarin e Odës Ekonomike dhe një grup biznesmenësh