Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 25.02.2009




Shqyrtimi i propozim - amendamenteve të grupit punues për Projektligjin nr. 03/ L-090 për partneritetet publike – private, koncesionet për sigurinë e infrastrukturës dhe shërbimeve dhe procedurat për dhënien e tyre, ishte pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, e ku merrnin pjesë edhe ekspertë të USAID-it. Gjatë debatit u tha se grupi i punës, si dhe ekspertët e USAID-it kanë bërë një punë të madhe rreth propozimeve dhe amendamentimeve të këtij projektligji. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në çështjen e koncesioneve. Përkitazi me këtë u tha se Kuvendi mund të përcaktojë fushat e koncesioneve, por punët rreth realizimit të tyre duhet t’ iu barten ekzekutivit. Në këtë vështrim anëtarët e komisionit angazhoheshin që vendi ynë të jetë sa më fleksibil ndaj investimeve të jashtme, duke shkurtuar procedurat administrative, të cilat jo rrallë bëhen si pengesë për investitorët nga bota. Versioni definitiv i amendamenteve të këtij projektligji do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.

Në vijim Komisioni shqyrtoi propozim – amendamentet e grupit punues për Projektligjin nr. 03 /L-128 për Lizingun Financiar. Gjatë debatit u shtrua pyetja se ky projektligj a duhet të përmbajë në vete edhe lizingun operacional. Komisioni u pajtua që të presë edhe mendimet e ekspertëve të USAID-it për këtë projektligj .

Sa i përket Projektligjit nr. 03/L-135 për Raportimet Financiare të Organizatave të Biznesit u tha se Kosovës i duhet një ligj që rregullon këtë materie, por teksti i këtij projektligji nuk plotëson standardet përkatëse,përkatësisht nuk përmbush qëllimin sipas titullit që ka. Në këtë vështrim komisioni mori qëndrim që në seancën plenare, kur ky projektligj të jetë në rendin e ditës, të kërkojë që ai t’ i kthehet sponzoruesit për t’ u kompletuar.

Komisioni në vazhdim shqyrtoi Projektligjin nr. 03/L-043 për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raportin e komisionit funksional - Komisioni për Bujqësi, Pylltari Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinore, me amendamente, Projektligjin nr.03/L-091 për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, me raportin e komisionit funksional - Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/17 për Mbrojtjen e Konsumatorëve, me raportin e komisionit funksional – Komisioni për Ekonomi Tregti, Industri, Energjetik, Transport e Telekomunikacion, me amendamente dhe përkrahu procedimin e këtyre projektligjeve për miratim në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa