Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

, 11.03.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme dhe të Sigurisë, të kryesuar nga Rrustem Mustafa , kryetar i Komisionit, ishte ftuar zëvendësshefi i Policisë së EULEX-it, gjeneral brigade Llambert Llukas për të njoftuar Komisionin lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë. Me këtë rast z. Llukas foli gjerësisht mbi angazhimin dhe strukturën e Policisë së EULEX-it në Kosovë, e cila, si theksoi ai, gjendet në mision të sundimit të ligjit .Krahas kësaj ky mision përfshin edhe lëmin e doganave dhe të gjyqësisë. Fushëveprim tjetër mjaft i rëndësishëm i kësaj policie është edhe monitorimi dhe këshillimi i policisë së Kosovës sipas standardeve evropiane. Monitorimi i policisë së EULEX-it është i shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës,megjithëse në veri të vendit ky mision është ballafaquar me disa specifika. Në këtë situatë specifike, tha ai, jemi të angazhuar që të kemi edhe një qasje specifike. Në këtë vështrim jemi duke bashkëpunuar me shefin e Policisë së Kosovës, z. Sheremet Ahmetin, që të kemi një zingjir unik komandues në fushën e sigurisë në Kosovë, përkatësisht ta mbështesim policinë e Kosovës në këtë zinxhir komandues unik. Kjo është punë jona e rregullt që bëjmë drejt shtrirjes së sundimit të ligjit edhe në veri. Kjo nuk është rrugë e lehtë, theksoi z. Llukas. Ai theksoi se Policia e Kosovës është përgjegjëse kryesore për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Në pyetjen rreth asaj se deri kur do të pritet që policët serbë, të cilët braktisën detyrën, të kthehen në Policinë e Kosovës, z. Llukas tha: “Ne përkrahim përbërjen multietnike të policisë,por autoritetet vendëse janë ato që duhet të vendosin për çështjen e policëve serbë, të cilët ende nuk i përgjigjen ftesës për kthim në punë.Vendimi për këtë duhet të merret sa më shpejt që është e mundur, por gjatë marrjes së këtij vendimi duhet të merren parasysh edhe rrethanat”, theksoi z. Llukas.

Në përmbyllje te debatit Rrustem Mustafa pasi falënderoi z. Llukas për këtë njoftim theksoi se Policia e EULEX-it do të ketë përkrahjen e parezervë të Komisionit. Komisioni, tha Mustafa, do të ndihmojë EULEX-in që të shtrijë aktivitetin në tërë territorin e Kosovës.”Ne nuk dëshirojmë të kemi asnjë ambient brenda vendit tonë ku do të ketë korrupsion,kontrabandë dhe grupe kriminale.Në dëshirojmë që të kemi lëvizje të lirë në tërë territorin e vendit, sepse edhe si deputet këtë të drejtë nuk po mund ta gëzojmë”, theksoi Mustafa. Anëtarët e Komisionit falënderuan z. Llukas për këtë prezantim , duke premtuar edhe bashkëpunim në synimet e gjithëmbarshme për të siguruar gjendje sa më të mirë në vend.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri