Lajmet e fundit

Nga tryeza në temën “Respektimi i të drejtave të minoriteteve në raport me integrimin evropian të Kosovës”

, 16.03.2009




Pa integrimin e komuniteteve në shoqërinë e Kosovës, gati është i pamundur procesi i integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, por minoritetet duhet të arrijnë konsensus dhe të shfrytëzojnë mundësitë e mëdha të përparimit që u garanton Kushtetuta e Kosovës, është thënë në tryezën e rrumbullakët në temën: “Respektimi i të drejtave të minoriteteve në raport me integrimin evropian të Kosovës”, organizuar nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, bashkë me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), e në të cilin merrnin pjesë edhe anëtarët e Komisionit për të drejtat dhe Interesat e Komuniteteve. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të minoriteteve është njëri prej kritereve politike të Kopenhagës, të cilat duhet t’i plotësojë çdo shtet që dëshiron të integrohet në Unionin Evropian, ka thënë kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zlyfie Hundozi, e cila e ka drejtuar tryezën. Ajo më tej ka shtuar se me gjithë përkushtimin për integrimin e plotë të komuniteteve në shoqëri dhe në institucione dhe me gjithë krijimin e legjislacionit adekuat që e mbulon këtë përkushtim, në Raportin e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian për viti 2008 janë dhënë disa vërejtje sa i përket integrimit të plotë të komuniteteve në shoqërinë tonë, që duhet të jetë motiv shtesë për t’i rregulluar gjërat në këtë sferë.

Duke e përshëndetur këtë takim shumë të qëlluar, drejtor i Programit legjislativ të NDI-së, Glen Brodbury, ka theksuar se çdo shtet, madje edhe më demokratiket, kanë pasur probleme me të drejtat e minoriteteve dhe se interesat pakicave janë ndërtuar me vitet të tëra, madje jo pa shumë punë dhe pa debat të gjerë. Ai është zotuar se NDI-a do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në planin e integrimit të pakicave dhe drejt integrimit të vendit në BE.

Në debatin e gjerë të anëtarëve të dy komisioneve parlamentare, sidomos të pjesëtarëve të komuniteteve, është theksuar rregullimi shumë i mirë ligjor i të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, por është vënë gjithashtu në pah se jo çdo gjë funksionin mirë në praktikë. Madje shumë prej tyre kanë pasur vërejtje për mosrealizimin e të drejtave të shkollimit në gjuhën e tyre kombëtare, në papunësi edhe më të theksuar të pjesëtarëve të tyre dhe sidomos për përqendrimin e të gjitha qeverive të Kosovës, por edhe të ndërkombëtarëve, vetëm për kënaqjen me çdo kusht vetëm të minoritetit serb. Ata kanë pasur vërejtje për favorizimet që u bëhen komunitetit serb dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet e Kosovës, me gjithë faktin se shumica e komunitetit serb në Kosovë i shpreh lojalitet një vendi tjetër, ndërkohë që të gjitha komunitetet e tjera, siç quhen në zhargon “jo serbe dhe joshqiptare”, Kosovën, e ndjejnë si të vetmin atdhe të tyre. Ka pasur vërejtje edhe për organizimin dhe keqmenaxhimin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe për funksione të shumëfishta politike të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve kanë theksuar se ata ndjehen plotësisht të integruar në shoqërinë e Kosovës, prandaj u nevojiten më shumë plane konkrete të veprimit e të zhvillimit e më pak strategji të integrimit, të cilën e kanë quajtur humbje kohe me shpenzime të mëdha.

Folësit e shumtë në këtë takim kanë theksuar nevojën për ndërtimin e raporteve të vërteta evropiane në Kosovë, si dhe kanë tërhequr vëmendjen se shumë zgjidhje për komunitetet që na janë imponuar, e që janë në kundërshtim me aktet universale për të drejtat e njeriut, do të kenë efekte kundërproduktive, siç ka ngjarë edhe në të kaluarën.

Ata kanë pasur vërejtje të shumta për mospjesëmarrjen në këtë tryezë të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, e sidomos të ministrit për Komunitete dhe Kthim, por edhe të përfaqësuesve të ICO-së , të EULEX-it, të Këshilli i Evropës dhe të Komisionit Evropian-Zyra Ndërlidhëse në Kosovë, të cilët ishin ftuar nga organizatori.

Konkluzionet dhe përfundimet e kësaj tryeze, të cilat do t’i adresohen Kryesisë së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ka mbetur që Komisioni për Integrime Evropiane t’i hartojë në takimin e nesërm.
Nga tryeza në temën “Respektimi i të drejtave të minoriteteve në raport me integrimin evropian të Kosovës”