Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u nis në një vizitë në Britaninë e Madhe

, 16.03.2009




Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, u nis sot në një vizitë zyrtare tri ditëshe në Britaninë e Madhe, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, si dhe këshilltarët Mehmet Hajrizi e Skender Reçica.

Gjatë kësaj vizite kryeparlamentari Krasniqi do të ketë takime të shumta,si:me zëvendëskryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, znj. Sylvia Heal, kryetarin e Dhomës së Lordëve, Hon Baroness Hayman, kryetarin e Komisionit Selektues të Mbrojtjes, Hon James Arbuthont,me kryetarin dhe me anëtarë të të gjitha partive parlamentare për Kosovën, përkatësisht John Austin dhe Patrick Cormack,Lord Hylton e Tim Boswell. Kryeparlamentari Krasniqi do të takohet edhe me zëvendëskryetaren e Kuvendit Kombëtar të Uelsit,Rosemary Butler. Gjatë kësaj vizite kreu i legjislativit do të ketë një takim edhe me komunitetin shqiptar në Londër.

Para nisjes për në Londër, kryeparlamentari Krasniqi , në një prononcim për media në Aeroportin e Prishtinës, theksoi se qëllimi i kësaj vizitë është njohja me përvojat parlamentare e demokratike të Mbretërisë së Bashkuar. Kosova si një shtet i ri ka çka mëson nga praktika parlamentare e këtij shteti. Në pyetjen se a do të ketë takime me ambasadorë të shteteve të ndryshme rreth temës së njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se ne nuk përzihemi në punët e Qeverisë së Kosovës, por në kuadër të takimeve me parlamentarë të Mbretërisë së Bashkuar , të cilët kanë një traditë shtetërore e parlamentare, do të bisedojmë edhe për këtë çështje.
Kryeparlamentari Krasniqi u nis në një vizitë në Britaninë e Madhe