Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi përfundoi vizitën në Mbretërinë e Bashkuar

, 21.03.2009




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi,u kthye sot nga vizita në Mbretërinë e Bashkuar, ku në krye të një delegacioni, të përbërë edhe nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti dhe këshilltarët Mehmet Hajrizi e Skender Reçica qëndroi në një vizitë disaditëshe me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti. Gjatë kësaj vizite delegacioni i Kuvendit të Kosovës kishte një vistër takimesh me përfaqësues të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve, të Dhomës së Lordëve, të Komisionit për Punë të Jashtme , atë për Punë të Brendshme dhe të Mbrojtjes,me përfaqësues të gjykatave të të gjitha niveleve, si dhe të Kuvendit Kombëtar të Uelsit.

Me të arritur në Aeroportin e Prishtinës, kryeparlamentari Krasniqi në një prononcim për media theksoi se kjo vizitë miqësore rikonfirmon edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shpreh vullnetin e dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe në të gjitha fushat tjere ndërmjet dy vendeve.”Në këto takime njoftuam institucionet e Mbretërisë së Bashkuar për të gjitha zhvillimet në Kosovë. Kemi theksuar se Kosova e pavarur është duke funksionuar si shtet, se me Kushtetutën e Kosovës të gjithë qytetarët kanë të garantuara të gjitha të drejtat, ndaj edhe minoritetet gëzojnë këto të drejta sipas standardeve më të larta evropiane e ndërkombëtare. Institucionet e Mbretërisë së Bashkuar janë në mbështetje konsekuente të proceseve të reja që po zhvillohen në Kosovë, e kjo fiton në peshë duke ditur se Mbretëria e Bashkuar është pjesëmarrëse në mekanizmat e BE-së dhe të NATO-s”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Në emër të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj është shprehur falënderim dhe mirënjohje e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e madhe që i ka dhënë e i jep Kosovës në proceset historike të çlirimit, në rindërtimin e vendit, në ngritjen e institucioneve demokratike dhe në njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Të gjitha këto takime kaluan në frymë të miqësisë dhe të bashkëpunimit. “Ne i ftuam për vizitë zyrtare , kryetarët e të dy dhomave të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të Asamblesë Kombëtare të Uellsit. Kryetarja e Dhomës të Lordëve ,zonja Hayman, premtoi se do ta bëjë atë me kënaqësi në një kohë të përshtatshme”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Delegacioni parlamentar i Kuvendit të Kosovës kishte një takim shumë miqësor edhe me z.John Austin, anëtar i Parlamentit e kryetar i Grupit të të gjitha Partive Parlamentare për Kosovën dhe anëtarët tjerë të këtij grupi, si: z.John Grogan, lordin Hylton dhe z.Tim Bosëell, me të cilët është diskutuar për çështje të përgjithshme dhe praktike për Kosovën .Ky Grup parlamentar po bën punë të madhe për Kosovën , kurse nga ana e delegacionit është premtuar se së shpejti edhe Kuvendi i Kosovës do të formojë Grupin parlamentar të Miqësisë me Mbretërinë e Bashkuar.

Një takim të ngrohtë delegacioni i Kuvendit të Kosovës kishte edhe me komunitetin shqiptar në Londër.
Kryeparlamentari Krasniqi përfundoi vizitën në Mbretërinë e Bashkuar