Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar nga Shqipëria

, 14.04.2009




Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar, ka pritur sot delegacion parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë të kryesuar nga Preç Zogaj, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë.

Në takim, në të cilin është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy parlamenteve, marrëdhëniet ndërmjet dy komisioneve homologe janë vlerësuar të shkëlqyera. Janë vlerësuar, ndërkaq, pozitive edhe zhvillimet në të dy vendet.

Kosova po ecën drejt rrënjosjes së pavarësisë, kurse Shqipëria drejt anëtarësimit edhe në BE, është thënë në takim, në të cilin të dy palët janë pajtuar se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është i rëndësishëm edhe për Kosovën, por dhe për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit për këtë pjesë të Europës.

Duke folur për bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet dy vendeve, kryesuesi i delegacionit parlamentar shqiptar, Preç Zogaj, ka theksuar se tashmë në Shqipëri është krijuar Komisioni ndërministror për çështjen e shfrytëzimit të portit të Shëngjinit për nevojat e Kosovës.

Në takim janë sheshuar mundësitë e bashkëpunimit në planin legjislativ, sidomos atij ekonomik, me theks të veçantë krijimin e zonave të lira doganore në pjesën veriore të Shqipërisë, që do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik të dy vendeve.
Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar nga Shqipëria