Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 16.04.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetët kanë shqyrtuar Raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 2004/50 për veprimtarinë private në shëndetësi, të cilin e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Sadik Idriz. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, e ka vlerësuar korrekt këtë raport, duke shpjeguar masat që ka marrë ministria e tij për të përmirësuar gjendjen mjaft të rëndë të shëndetësisë në Kosovës, si dhe zotuar se do të angazhohet me tërë qenien e tij për respektimin e ligjit. Ka pasuar një debat i gjerë parlamentar lidhur me këtë raport, në të cilin janë theksuar shkeljet e shpeshta të ligjit, sidomos konfliktit të shpeshtë interesit të bartësve të funksioneve në shëndetësinë publike me veprimtarinë e tyre private, po në lëmin e shëndetësisë.

Deputetët në vazhdim kanë e kanë miratuar në parim Projektligjin për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar apo konfiskuar, të prezantuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, Projektligjin për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë Publike, si dhe Projektligjin për armët, të cilët i ka prezantuar ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

Për herë të dytë, ndërkaq, deputetët kanë shqyrtuar Projektligjin për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, duke i votuar një për një të 55 amendamentet e propozuara nga komisione dhe deputetë të veçantë. Ata në fund me shumicë votash e kanë miratuar këtë projektligj.

Seanca ka shqyrtuar edhe Raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për aktivitetet e prokurimit publik në Kosove për vitin 2008, si dhe Raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2008. Rekomandimet lidhur me këto raporte i ka prezantuar kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Gani Koci. Ai ka pohuar se Kosovës në rrethanat e pas pavarësisë i nevojitet një ligj i ri i prokurimit. Deputetët kanë pasur vërejtje të shumta për raportet, por, në fund, me shumicë votash i kanë miratuar rekomandimet për raportin e parë, por jo edhe ato për raportin e dytë.

Me kërkesë të Komisionit për Buxhet dhe Financa është shtyrë për seancën e radhës shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 03/L-090 për partneritet publiko-privat dhe koncesionet për sigurimin e infrastrukturës dhe shërbimeve dhe procedurat për dhënien e tyre.

Kuvendi nuk ka pasur kuorum për emërimin e një anëtari joekzekutiv të Bordit Drejtues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, prandaj çështja shtyhet për seancë tjetër.

Si rëndom, edhe në këtë seancë ministrat e kabinetit qeveritar u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Nga punimet e seancës plenare