Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u kthye nga Lubjana

, 19.04.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u kthye sot nga Lubjana, ku mori pjesë në punimet e Kongresit të Lëvizjes Ndërkombëtare Evropiane dhe Lëvizjes Evropiane të Sllovenisë, si dhe pati takime me udhëheqjen më të lartë të Sllovenisë.

Posa u kthye në Aeroportin e Prishtinës kryeparlamentari Krasniqi dha një prononcim për media, gjatë të cilit ai e vlerësoi të frytshme pjesëmarrjen në Kongres dhe bisedat që kishte me presidentin e Sllovenisë, Danillo Türk , si dhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, z. Pavel Gantar.Në këto biseda u vlerësuan lart marrëdhëniet ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, sidomos në lëmin e marrëdhënieve ndërparlamentare. Nga udhëheqja më e lartë e Sllovenisë u shpreh gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në proceset integruese evropiane.

Në pyetjen se a theu rregullat presidenti serb Boris Tadiq me vizitën gjatë festës së Pashkëve në Kosovë dhe me deklaratën politike që dha, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se kjo është përgjegjësi e ekzekutivit dhe e atyre që janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë. Këtë vizitë duhet ta shohim si vizitë të një karakteri privat dhe fetar, si vizitë të një qytetari të Serbisë. Duke u përgjigjur në pyetjen tjetër se a është bërë trysni ndaj institucioneve të Kosovës që të realizohet kjo vizitë, kryeparlamentari Krasniqi tha se të gjitha proceset e deritashme janë bërë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, ndaj edhe kjo vizitë është bërë në koordinim me ndërkombëtarët.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u kthye nga Lubjana