Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media

, 21.04.2009




Në mbledhjen e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës , të kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, u shqyrtua shkresa e radios “Zëri i Sharrit”, drejtuar nga ana e drejtorit të këtij institucioni, Afrim Mustafa, në të cilën ai ankohet për ndalimin e punës së kësaj radioje nga ana e KPM-së. Përkitazi me këtë çështje Komisioni mori qëndrim që në një mbledhje të ardhshme të Komisionit të ftohen të dy palët, përkatësisht parashtruesi i ankesës, si dhe përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur të Medieve për të parë se si ka rrjedhur procesi i mbylljes së këtij radiostacioni dhe cila është e vërteta rreth këtij rasti.

Në vijim të mbledhjes Komisioni rishqyrtoi Raportin vjetor të KPM-së për vitin 2008, duke u ndalur posaçërisht në vërejtjet që ishin bërë në mbledhjen e kaluar rreth këtij raporti dhe në pyetjet që iu shtruan sot udhëheqjes së këtij institucioni, të prirë nga Argjentina Grazhdani, kryetare e KPM-së. Komisioni konstatoi se raporti është dukshëm më i mirë se ai i vitit paraprak, por do të duhej të ishte më i përmbledhur. Në mbledhje u ngrit edhe çështja e realizimit të projektit të transmetuesit në gjuhën serbe në shkallë vendi. Lidhur me këtë nga udhëheqja e KPM-së u tha se ekziston gatishmëri për të përmbushur këtë obligim kushtetues, i cili del edhe nga Pakoja e Ahtisaarit. Po kështu u shtrua nevoja edhe për shpejtimin e punëve rreth hartimit të Rregullores për mbrojtjen e të miturve nga programet joadekuate televizive , si dhe të strategjisë së digjitalizimit. Të dy këto synime, si u tha nga ana e përfaqësuesve të KPM-së, pritet të kryhen brenda këtij viti.
Mbledhja e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media