Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 22.04.2009




Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2008, ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, e ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë, të prirë nga zëvendësministri Bedri Hamza. Në debatin e gjerë lidhur me këtë temë u tha se Raporti është në përputhje me kërkesat ligjore. Gëzon fakti se të hyrat e përgjithshme kanë shënuar performansë të mirë. Ato janë 6 për qind më të larta se të planifikuarat, ndërsa në strukturën e tyre dominojnë edhe më tutje të hyrat nga doganat. Paraqitet mjaft e mirë edhe struktura e investimeve kapitale,të cilat gjithashtu shënojnë rritje. Pas disa vërejtjeve dhe sugjerimeve Komisioni përkrahu këtë Raport për procedim të mëtejmë në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që të plotësohet me një pasqyrë më të detajuar të investimeve kapitale.

Në vijim Komisioni shqyrtoi pjesën financiare të Raportit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Në parim ky raport u përkrah, por u kërkua që para shqyrtimit në Kuvend ai të plotësohet sipas formularëve standardë të raportimit. Njëherësh u përkrah edhe pjesa financiare e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, me rekomandim që të procedohet më tej për shqyrtim ne Kuvend. Sa i përket Raportit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, për vitin 2008, Komisioni kërkoi që në Kuvend të diskutohet gjendja e gjithëmbarshme në ART,si dhe të plotësohet ana ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të këtij agjensioni.

Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për produktet Biocide nr. 03/L -119 me Raportin e komisionit funksional - Komisioni për Bujqësi , Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me amendamente. Pasi u konstatua se amendamentet nuk kanë implikime buxhetore, Komisioni dha pëlqimin për procedim të mëtejmë të këtij Projektligji në Kuvend.
Mbledhja e Komisionit  për Buxhet dhe Financa